Biznesi në vështirësi, raporton uljen e xhiros me 7 mld lekë në tetor

Ndërsa qeveria po përpiqet të formalizojë ekonominë, bizneset raportojnë ulje të xhiros së tyre çka dëshmon për vështirësitë që po kalojnë.Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në total xhiro e bizneseve arriti në tetor në 42 miliardë lekë nga 49 miliardë që ishte në shtator .Vetëm brenda një muaji xhiro e bizneseve ka rënë me 7 miliardë lekë ose 15% .Xhiro më të ulët deklarojnë bizneset e mëdha dhe bizneset e vogla me TVSH ndërsa subjektet e vogla private që nuk janë me skemën e tatimit mbi vlerën e shtuar raportojnë një rritje të lehtë të xhiros së tyre.Sipas të dhënave biznesi i madh ka deklaruar në tetor një xhiro rreth 35.7 miliardë lekë ose 17% më të ulët se një muaj më parë.Biznesi i vogël raporton një xhiro 6.4 miliardë lekë me rritje 2% kundrejt shtatorit. Ndërsa biznesi i vogël me TVSH deklaron 2.7 miliardë lekë xhiro me ulje 8 %.Rënia e xhiros së bizneseve është një lajm i keq për ekonominë pasi dëshmon për rënien e blerjeve dhe konsumit. Rrjedhimisht kjo do të thotë më pak para në qarkullim dhe më pak likuiditet dhe fitim për bizneset si dhe vështirësi për ta për të paguar taksat dhe tatimet.Një rreth vicioz që ka mbërthyer ekonominë dhe ku pasojat i vuajnë të gjithë./Oranews.tv/