SHBA, dy autorët e sulmit të Bostonit mund të sulmonin sërish

I dyshuari për shpërthimet e javës së kaluar në Maratonën e Bostonit është ende në spital por ende në gjendje të rëndë. Një zyrtar i lartë ka thënë se nëse Dzhokar Tsarnaev nuk do të ishte kapur dhe vëllai i tij nuk do të ishte vrarë, mund të ishin ndërmarrë sulme të tjera terroriste.Komisioneri i Policisë së Bostonit Ed Davis thotë se të dyshuarit kishin armë dhe lëndë plasëse dhe ka gjasa të kishin plane për sulme të tjera përveç shpërthimit gjatë maratonës.“Kemi arsye të besojmë, bazuar në provat e mbledhura nga skena e ngjarjes, nga materiali plasës dhe mjetet që përdorën, se ata kishin plane për sulme të tjera” tha ai. Davis gjithashtu dha edhe hollësi për gjendjen shëndetësore të të dyshuarit Tsarnaev.“Ai është në gjendje të rëndë për të qëndrueshme. Nuk kemi qenë në gjendje ta marrim në pyetje. Një ekip special i FBI-së do të vijë për ta marrë në pyetje”. Komisioneri i policisë tha se shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje, përfshirë motivin e sulmit. Disa ligjvënës republikanë kanë ngritur idenë e gjykimit të Tsarnaevit si luftëtar armik. Por Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve për Zbulimin Mike Rogers nuk është dakord me këtë propozim“Ai është qytetar i Shteteve të Bashkuara. Kjo i garanton të gjitha mbrojtjet e Kushtetutës amerikane” ka theksuar ai. Rogers sugjeroi se prokurorët duhet të shtyjnë për më vonë këshillimin e të dyshuarit mbi të drejtat e tij kushtetuese dhe dërgimin e një avokati, në mënyrë që ta kenë më të lehtë të grumbullojnë të dhëna me rëndësi për sigurinë publike.“Jam i mendimit se FBI ka një periudhë kohe për të identifikuar kërcënimet që ekzistojnë. Nuk e dimë nëse ka mjete të tjera plasëse të vendosura diku. Nuk e dimë nëse ka individë të tjerë të rrezikshëm”. Po në komentet për rrjetin CBS, guvernatori i shtetit Masaçusets Deval Patrick tha se qytetarët po i kthehen rutinës. Ai tha se ka rëndësi jetike që aktivitete si Maratona e Bostonit duhet të vazhdojnë dhe amerikanët nuk duhet të bien pre e frikës.