SHBA, Arrestohet autori i dytë i atentatit me bombë në Boston

Policia në SHBA ka kapur të gjallë të dyshuarin e dytë në shpërthimet e Maratonës së Bostonit, pas një operacioni që zgjati gjithë ditën në një lagje në periferi të Bostonit.Policia rrethoi 19 vjeçarin Dzhokhar Tsarnaev që ishte fshehur në një barkë të parkuar në oborrin e një banese në qytezën Watertown pranë Bostonit. Sipas njoftimeve, ai është i plagosur, por nuk dihet ende se në ç'gjendje.Banorët dolën në rrugë pas njoftimit duke brohoritur dhe duartrokitur për policinë dhe punonjësit e ekipeve të emergjencave, që filluan të largohen nga Watertown.Policia ka identifikuar Dzhokar Tsarnaev dhe vëllain e tij të madh Tamerlan, si të dyshuar në shpërthimet e së Hënës gjatë Maratonës së Bostonit. Shpërthimet lanë të vrarë tre vetë dhe plagosën më shumë se 170 të tjerë. Ata u identifikuan disa orë pasi FBI-ja publikoi fotot e tyre me shpresën për të marrë ndihmë nga publiku. Tamerlan Tsarnaev, 26 vjeç u vra më herët gjatë ditës së djeshme në një operacion ku mbeti i vdekur edhe një polic.Presidenti Barack Obama, në komentet për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë tha se vendi nderon popullin e Bostonit dhe Masaçusetsit si dhe punonjësit e forcave të rendit për atë që e cilësoi një punë të shkëlqyer në këtë operacion.Presidenti tha se megjithëse mbeten shumë pyetje lidhur me këtë situatë, dy vëllezërit nuk e arritën qëllimin e tyre."Ajo që dimë është se çfarëdo axhende e urryer i shtyu këta individë drejt këtyre akteve të shëmtuara, ajo nuk do të triumfojë dhe nuk mund të triumfojë. Çfarëdo menduan ata që mund të arrinin, ata kanë dështuar. Ata dështuan pasi populli i Bostonit nuk pranon të trembet. Ata dështuan pasi amerikanët nuk pranojnë të terrorizohen".Presidenti Obama i bëri thirrje publikut të mos ngutet në nxjerrjen e përfundimeve për motivet e sulmit dhe të lejojë që hetimet të nxjerrin në pah të vërtetën.