Zhbllokohet eksporti i prodhimeve bujqësore të Shqipërisë drejt Maqedonisë
Maqedonia ka hequr sot bllokadën ndaj prodhimeve bujqësore nga Shqipëria. Vendimi vjen pas reagimit të autoriteteve zyrtare të Tiranës dhe komunikimeve intensive midis Ministrive të Ekonomisë të të dyja vendeve.Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Bekim Neziri, teksa komunikoi vendimin dha garancinë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë më dhe se duhet të respektohen parimet e CEFTA-s.Sipas tij, problemi u shkaktua nga një rregullore e Ministrisë së Bujqësisë së Maqedonisë, e cila duhet të ndryshojë sa më shpejt.Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Shqipërisë, Arben Ahmetaj dje alarmoi bllokimin e perimeve në kufi nga ana e autoriteteve të Maqedonisë, edhe pse sipas tij, duhet të respektohet marrëveshja për tregti të lirë CEFTA.Shqipëria dhe Maqedonia janë nënshkruese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore – CEFTA, që trajton zgjerimin e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve, duke eliminuar të gjitha barrierat tregtare mes palëve.