Lejuan kalimin e kamionit me drogë, arrestohen 5 doganierë e policë kufitarë
Prokuroria e Durrësit, ka çuar në shtatë numrin e personave të dyshuar për “shpërdorim detyre”, të cilët, me mosveprimet e tyre, kanë krijuar mundësinë e trafikimit të 1650 kg lëndë narkotike kanabis sativa e zbuluar në dt.17.11.2015 nga autoritetet italiane në portin e Barit në një kamion që ishte nisur nga porti i Durrësit.Pas arrestimit të dy punonjësve të kompanisë private të skanimit, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për disa persona të tjerë, punonjës të Doganës së Durrësit dhe punonjës të policisë kufitare.Vendimi i gjykatës është ekzekutuar gjatë ditës së sotme nga ana e Policisë së Shtetit.Për Prokurorinë e Durrësit, ngarkesa e lëndës narkotike është trafikuar në drejtim të Italisë, për shkak të mosveprimeve në përputhje me ligjin të shtetasve:1. Leonard Gremi, me detyrë doganier dhe përgjegjës turni në Doganën Durrës;2. Ilir Shtama, me detyrë doganier i skanerit në Doganën Durrës;3. Redi Demiri, me detyrë doganier i kontrollit fizik në Doganën Durrës;4. Fitim Demollari, (me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Port Durrës)5. Artur Habibi, (me detyrë punonjës policie në Komisariati e Policisë Port Durrës)Për këtë ngjarje, me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit, gjykata ka vendosur pak ditë më parë masën e sigurisë “arrest në burg” edhe për shtetasit Fatjon Trezhnjeva dhe Edmond Hysko, punonjës të kompanisë private të skanimit në portin e Durrësit.Po ashtu, nga ana e autoriteteve italiane, janë arrestuar ditën e ngjarjes edhe dy shtetas shqiptarë, shoferë të kamionit me rimorkio ku u gjet sasia e lëndës narkotike, përkatësisht Andrea Lleshi dhe Dorjan Lleshi.