Përshpejtohen procedurat e azilit në Gjermani, shqiptarët përgjigje brenda 3 javësh
Më në fund krerët e koalicionit me bazë të gjerë në Gjermani arritën të binin dakord për politikën që do të ndiqet për frenimin e fluksit të klandestinëve pas disa javësh polemika dhe akuza ndaj njëri tjetrit. Palët ranë dakord për pikën e debatueshme të zonave tranzitore , të cilat tashmë do të kthehen në qendra speciale regjistrimi dhe për përshpejtim të procedurave nga një deri në tre javë maksimumi.Pas takimit me kreun e kristiansocialëve, Horst Seehofer dhe kryetarin e Partisë Socialdemokrate Sigmar Gabriel , Angela Merkel u shpreh e kënaqur me rezultatin.“Kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por edhe kemi shumë punë përpara,” tha Merkel, teksa Sigmar Gabriel tha se është i kënaqur që nuk do të ketë zona tranziti, qendra ekstraterritoriale dhe izolim të azilkërkuesve. Ndërsa Seehofer, kreu i kristiansocialëve pret nga masat e reja më shumë kthime të refugjatëve përmes proçedimeve të përshpejtuara.Instrumenti më i rëndësishëm janë qendrat speciale të regjistrimit për refugjatët me shanse të pakta qëndrimi, të cilat do të vendosen në tre deri në pesë vende në Gjermani, dy prej tyre në Bavari, aty ku mbërrin shumica e refugjatëve. Në këto qendra proçedurat nuk do të zgjasin më shumë se tre javë dhe në to pritet të vendosen azilkërkuesit nga vendet e shpallura si të sigurta, sidomos ata nga Ballkani, Shqipëria, Kosova, Serbia etj. Kërkesat e tyre për azil do të përpunohen shumë shpejt dhe po në këtë mënyrë do të veprohet edhe me ata, të cilëve iu është refuzuar azili.Një aspekt tjetër i masave për azilin është edhe rezidenca e detyruar. Në kohën e qëndrimit në qendrat speciale azilkërkuesit nuk do të mund të largohen nga qarku i landit ku janë vendosur, ndryshe do t'u hiqen asistencat e do të pezullohet përkohësisht kërkesa e azilit.Krerët e partive qeverisëse në Berlin vendosën po ashtu përdorimin e një karte identiteti të refugjatit. Azilkërkuesit do të duhet të pajisen të gjithë me një dokument të tillë identifikimi , e cila do t'u mundësojë autoriteteve shtetërore kontrollin më efikas të gjendjes në vend./Oranews.tv/