Tregu i Zdralës, tregtarët e vegjël kërkojnë ulje taksash dhe lehtësira të tjera

Tregtarët e tregut të Zdralës në Shkodër, ku shiten veshmbathje, i apelojnë shtetit për lehtësira ndaj kësaj kategorie. Në ditën e tretë që tatimorët kanë kryer kontrolle, tregtarët thonë se xhiroja ka rënë shumë, ndaj nuk mund të përballojnë kostot e licencimit si biznes i vogël.Prej 3 ditësh Tregu i Zdralës po kontrollohet nga tatimorët për licencimin e tyre, pajisjen me kasa fiskale dhe lëshimin e kuponave tatimorë. Megjithëse jo pak subjekte kanë patur probleme, fillimisht janë bërë vetëm paralajmërime pa marrë masa ndëshkimore. Por ky kontroll nuk është pritur mirë nga tregtarët që kërkojnë ulje taksash dhe lehtësime.Tregtare : “Ne jemi kundër këtyre taksave kaq të larta që janë këtu në treg, janë të pa përballueshme. Në qoftë se deri sot i kam përballuar , fluksi i blerjes këtu ka rënë komplet.Kur nuk kam ku ta nxjerr bukën e gojës,ku ti paguaj sigurimet?”Tregtar : "Shumë dyqane mbyllen dhe janë të pamarra me qera. Të paktën të ketë ulje taksash që edhe në të kemi mundësi të kontribojmë për shtetin."Tatimorët prej fillimit të shtatorit po ushtrojnë kontrolle në të gjitha subjektet tregtare, ku Tregu i Zdralës ishte lënë ndër të fundit për shkak të disa kërkesave të paplotësuara që lidhen me pushtetin vendor, kryesisht për gjetjen e një vendi tregtimi, pasi shumë prej tyre shesin në rrugë dhe ulje taksash.Deri tani nga Bashkia nuk është marrë asnjë masë./Oranews.tv/