Stërvitja e forcave ushtarake sot në Kavajë, përgatitet misioni i radhës për Afganistan
Këto foto janë shkëputur nga stërvitja fushore Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Forcës Tokësore që po zhvillohet në rajonin e Rreth - Grethit në Kavajë.Stërvitjen e ndoqi sot nga afër edhe Ministrja Kodheli. Duke u ndalur te angazhimet aktuale të NATO, sidomos për trajnimin dhe stërvitjen e trupave të ushtrisë afgane, Ministrja tha se Shqipëria do të ruajë të njëjtin angazhim për vitin e ardhshëm.“Ne do të jemi në Afganistan, do të ruajmë të njëjtin angazhim edhe për vitin e ardhshëm dhe do të ndjekim me vëmendje kërkesat dhe nevojat e Aleancës për ekspertizën tonë. Në unison të plotë me aleatët amerikanë, turq, gjermanë si dhe në kuadër të Kartës së Adriatikut, ne do të plotësojmë detyrimet e marra vite më parë. Dhe jemi krenarë për këtë!”Stërvitja fushore e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë (b3k) Poshnjë në vartësi të Forcës Tokësore e koduar “Rreth - Grethi 2015” ka filluar më 21 tetor 2015 dhe përfundon nesër më 30 tetor 2015.Në këtë stërvitje marrin pjesë rreth 250 trupa. Qëllimi i saj është planifikimi dhe zhvillimi i stërvitjeve fushore, për të qënë e thjeshtë dhe efektive në nivel taktik, si dhe të adresojë nevojat për trajnim dhe zhvillim cilësor të shtabit dhe nënreparteve në lidhje me operacionet e mbështetjes së paqes (Peace Keeping).Ndërsa ndër objektivat që synohen të arrihen janë: përgatitja e kontigjentit të 3-të që shkon në misionin “Resolute Suport Operation” në Kabul, Afganistan; kompaktësimi i b3k për kryerjen e stërvitjeve me trupa në kushtet fushore, rritja e ndërveprueshmërisë dhe aftësive të shtabit dhe n/reparteve që të kryejnë operacione të mbështetjes së paqes në përbërje të NATO etj.Zhvillimi i kësaj stërvitje është konceptuar në 5 faza, që nga planëzimi dhe deri në demonstrimin përfundimtar të trupave në operacionet e mbështetjes së paqes (OMP).
