Lagjia e Trimave sërish në shënjestër të policisë maqedonase

Sërish aksion policor. Sërish në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Policia thotë se është vënë në kërkim të tre personave, të cilët kanë ndihmuar grupin e armatosur, i cili më 9 dhe 10 maj u përlesh me policinë në Kumanovë. Tre personat dyshohet të kenë qenë logjistik e grupit.Edhe pse policia nuk jep emrat e personave të kërkuar, Alsat M vizitoi shtëpitë e bastisura. Familjarët konfirmojnë se në Lagjen e Trimave policia ka kërkuar Riza Jonuzin, emri i të cilit ishte përmendur edhe më herët pas aksionit të majit.“Nuk kanë treguar asgjë. Vetëm një fotografi e pamë të vëllait. Vetëm na e morën të dhënat e të gjithë familjes dhe numrin tim të celularit. Nuk ka nevojë për këtë. Asgjë nuk thoshin, vetëm ku është? Nuk është këtu ore burrë, si ku është? Kërkoje dhe gjeje. Ai është i pafajshëm! Pse e kërkojnë, pse kemi luftuar për lirinë tonë", deklaroi Bekim Jonuzi, vëllai i Riza Jonuzit.Është bastisur edhe shtëpia në të cilën më herët kishte jetuar Riza Jonuzi dhe e kishte shitur 3 ditë përpara aksionit policorë. Familja e cila e ka blerë këtë shtëpi thotë se bastisja është e palogjikshme pasi që shtëpia gjatë aksionit policor ishte djegur pothuajse tërësisht dhe asnjë gjurmë e Riza Jonuzit nuk ka mbetur në këtë shtëpi.“Me datën 6 kemi blerë këtë shtëpi me 9 na e kanë djegur. E kam pritur me dëshirë të hyjë në shtëpi, por se ma bëjnë këtë nuk e prisja! Prej Riza Jonuzit e kemi blerë shtëpinë, pagesën e kemi bërë”.Në aksionin e zhvilluar në fshatin Hotël të Likovës, u kërkua Besnik Bajrami. Sipas familjarëve, policia nuk i ka treguar arsyet e kërkimit të tij, ndërsa i njëjti sipas tyre me muaj të tërë ndodhet jashtë vendit.“Rreth orës 4 të mëngjesit deri në orën 7 kanë bastisur në shtëpinë tonë dhe e kanë kërkuar vëllain tonë. Nuk e kanë gjetur, pasi ai është në Evropë. Nuk kanë treguar pse. Katastrofë e madhe, politikë dhe spiunazh”, u shpreh Fati Bajrami, vëllai i Besnik Bajramit.Banorët e trishtuar, kërkojnë që policia të ndërpresë shqetësimin që ua bënë.“Le të na lënë rehat. Nuk duam luftë sepse ata kërkojnë luftë që të shpëtojnë nga turpi i tyre. Ne nuk i kemi zgjedhur për të vjedhur, por si përfaqësues. Tani ata po bëjnë shaka me fëmijë të huaj”, deklaroi Fejzulla Latifi, Kryetar i bashkësisë lokale, Likovë.Për këtë aksion Ministria e Brendshme ka njoftuar vetëm përmes një komunikate me shkrim, në të cilën thuhet se janë bastisur tre lokacione në kërkim të tre personave, njëri nga Kumanova, njëri nga fshati Brezë dhe tjetri nga fshati Hotel i Likovës.Tek shtëpia e Besnik Bajramit, sipas policisë janë gjetur vetëm 4 telefona celularë dhe 3 kartela. Të njëjtat do t’i dorëzohen Prokurorisë Publike. /Alsat M/