Vijon rrugëtimi drejt Europës, mijëra emigrantë kanë kaluar kufirin serbo-kroat

Mijëra emigrantë kanë kaluar kufirin serbo-kroat për të vijuar rrugën e tyre drejt Europës. Policia kroate nuk ka vendosur kufizime, teksa njerëzit kanë proçeduar me grupe prej 100 personash.Një prej emigrantëve sirianë, shprehet se ai po tenton që të arrijë në Gjermani për të lënë pas një situatë lufte."Siria? Aty është krijuar një situatë mjaft e rëndë. Njerëzit vdesin çdo ditë. Jo prej Asadit, Amerikës, Obamës apo Putinit. Njerëzit humbin jetën për shkak të sulmeve ajrore, ose vrasin njëri-tjetrin për arsye të pakuptueshme" tha ai.Ndërkohë një tjetër refugjat nga Sierra Leone tregon se qëllimi i tij është që të mbërrijë në Francë."Shumë persona po tentojnë të mbërrijnë në Europë, kështu që nëse kufinjtë do të mbyllen, situata do të jetë tepër e rëndë. Duhet të gjendet një mënyrë më e mirë për t'i ndihmuar këta njerëz. Dëshira ime është që të mbërrij në Francë."Për të menaxhuar një situatë të tillë, Bashkimi Europian dhe liderët e Ballkanit, ranë dakord që të firmosnin një plan me 17 pika për të bashkëpunuar.