Demokristianët me dy deputetë në Kuvend, të enjten betimi i Eduart Ndocaj
Deputeti më i ri i Kuvendit të Shqipërisë, Eduart Ndocaj, do të bëjë betimin në Kuvend këtë të enjte. Lajmin e ka bërë me dije kreu i demokristianëve, Nard Ndoka.Ndoka:“Të enjten betimi në Kuvendin e Shqipërisë i deputetit Eduart Ndocaj, aktualisht N/Kryetar i Partisë Demokristiane të Shqipërisë. Zyrtarisht PDK me dy deputetë në Kuvend, Kodi Zgjedhor dhe komisionerët e PD-PS, penguan përfaqësimin me votën reale në Kuvend të alternativës Demokristiane, por si edhe ne raste të ngjashme, Demokristianëve u "zbresin Deputetët nga qielli"! Urime Eduartit, që zgjodhi alternativën Demokristiane për ta përfaqësuar në Kuvend zërin e atyre që e votuan dhe atyre që nuk jua numëruan, si dhe të mijëra emigrantëve që i penguan me ligj që të votojnë”.Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve pranoi sot dorëheqjen nga mandati të deputetit socialist Arben Ndoka, duke kryer edhe zëvendësimin e tij me pasuesin.Eduart Ndocaj do të marrë mandatin e Ndokës, si emri që vinte në listë pas Ndrec Dedës që u zgjodh kryetar i bashkisë së Kurbinit.Trupa e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve mori vendimin e kalimit të mandatit Eduart Ndocajt mes debatesh proceduriale, por votimi 4 me 3 në fund miratoi këtë akt. Vendimi final i takon tani Kuvendit.