Meta kërkon njohjen e Kosovës: Rruga e vetme e Ballkanit, integrimi europian
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në Konferencën e 7-të të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor që u mblodh në Budapest nën kujdesin e Parlamentit të Hungarisë.Meta në fjalë e tij deklaroi se integrimi euro-atlantik është i vetmi drejtim strategjik për Ballkanin. Kryeparlamentari Meta kërkoi edhe përfundimin e proçesit të njohjeve për shtetin e Kosovës.“Të gjithë vendet janë të lidhura ngushtë përmes një marrëdhënieje kontraktuale me Bashkimin Evropian në një rrugëtim solid integrimi.Shqipëria i qëndron opinionit se bashkëpunimi rajonal duhet të marrë kuptim vetëm përmes një plani të qartë masash bashkërisht me Bashkimin Evropian duke u fokusuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, në konkretizimin e iniciativave rajonale, veçanërisht në fushat ekonomike dhe atë të sigurisë, në ndërlidhjen infrastrukturore që është kyçe për thithjen e investimeve të huaja, dhe patjetër duke rritur mobilitetin rajonal dhe arsimin profesional të të rinjve tanë të cilët preken më shumë nga papunësia”.Meta nënvizoi se Ballkani ka bërë progres të madh, por ka ende sfida që duhet t’i përballojmë bashkarisht.Sipas tij, ndërlidhja infrastrukturore, forcimi i ligjit dhe demokracisë janë kyçe për zhvillimin ekonomik të rajonit.“Nëse duam t'i japim fund njëherë e përgjithmonë çdo tendence populizmi, nacionalizmi kulturor dhe tensionesh etnike, duhet të rrisim ndërlidhjen në drejtim të transportit, energjisë, tregtisë, mobilitetit njerëzor, kulturor dhe arsimor, dhe njëkohësisht të forcojmë parametrat e qeverisjes, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat themeltare”.
/Oranews.tv/