Hapja e negociatave, Gaiani: Vështirë të përcaktojmë një datë, Europa e trazuar
Ambasadori i Republikës së Italisë në Shqipëri, zoti Massimi Gaiani në një intervistë për emisionin ‘Tonight Ilva Tare’ në Ora News ka folur rreth procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, bashkëpunimit mes policive të dy vendeve si dhe investimet italiane në Shqipëri.Ambasadori ka thënë se në këtë periudhë është e vështirë procesi i integrimit në BE për Shqipërinë dhe hapja e negociatave për anëtarësim pasi Europa po kalon një situatë të trazuar pas krizes financiare dhe përballjes me refugjatët dhe emigrantët. Nga ana tjetër edhe Shqipëria duhet të bëjë më shumë për të përshpejtuar këtë proces. Ai ka thënë se nuk mund të parashikojë një datë të saktë për hapjen e negociatave mes BE dhe Shqipërisë.Përsa i përket krimit të organizuar, duke iu referuar një interviste të Kryeministrit shqiptar në Deutsche Welle, ambasadori Gaiani ka thënë se është e vështirë për të dalluar se ku ndodhen kokat e mafias dhe se pa kryer hetime të plota në bashkëpunim mes dy vendeve, lufta kundër krimit do jetë e vështirë. Përsa i përket çështjes së ngritur kundër Ministrit Tahiri për lidhje të dyshuara me trafikantë, ambasadori u shpreh se nuk ka patur asnjë informacion të vlefshëm për këtë.Massimo Gaiani u ndal edhe tek investimet italiane në Shqipëri duke vënë theksin tek klima e biznesit. Shqipëria duhet të ndërtojë një klimë të favorshme për biznesin duke siguruar drejtësinë, dhe çështjen e pronës, megjithatë Italia dh investitorët italianë do të vazhdojnë të mbeten partnerët kryesorë të Shqipërisë.Pjesë nga intervistaINTEGRIMIPas marrjes së statusit kandidat për BE, duket sikur po flitet më pak për integrimin dhe më shumë për problemet që ka vetë BE, të paktën në diskutimin e Kryeministrit përmendet shpesh fakti që është Europa ajo që ka një ngërç drejt zgjerimit edhe pse Ballkani mund të jetë gati dhe sa më parë që të bëhej pjesë që të bëhet pjesë e BE, aq më mirë do të ishte edhe për Europën pasi Ballkani mund të bjerë pre e ekstremizmave të ndryshëm, islamike apo të rrymave të tjera të rrezikshme. Mendoni se kjo mund të jetë një arsye që e ka ngadalësuar procesin?Gaiani: Pa dyshim që në një periudhë krize, Europa ka kaluar një krizë ekonomike shumë të rëndë dhe nuk mund ta fshehim dhe harrojmë se çdo zgjerim apo pritja e vendeve të tjera anëtare është shumë e vështirë. Është shumë e vështirë që t’ia shpjegojmë vendeve dhe popujve, nëse marrim parasysh dhe çështjen e emigrantëve dhe refugjatëve. Në një farë mënyre kjo bën që të rritet edhe ndjenja e pasigurisë por besoj se të gjithë së bashku duhet të arrijmë, si vendet që janë pjesë e BE dhe ata që synojnë të bëhen pjesë, duhet të garantojnë opinionin publik dhe të dëshmojnë, dhe unë jam mëse i bindur se me hyrjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE do të ketë siguri më të madhe, më pak rrezik për paqëndrushmërinë e Europës dhe të shtetasve të saj. Sigurisht nuk është gjithnjë e thjeshtë kjo veprimtari apo kjo punë bindëse në një moment që krizat dhe trazirat janë në rend të ditës dhe që ndjekin njëra-tjetrën më intensitet të madh dhe me një frekuencë më të lartë.Duket se hapja e negociatatve do të jetë një mision i vështirë për Shqipërinë. Ju mund të jepni një parashikim tuajin se kur mund të hapen këto negociata për Shqipërinë?Gaiani: Mund vetëm të them se uroj që të ndodhë sa më shpejt por është shumë e vështirë që të përcaktojmë një datë të saktë. Shqipëria ka bërë një sërë reformash të rëndësishme, në disa prej tyre ndodhet në fazën e vënies në zbatim, në raste të tjera kjo nuk është kryer dhe është në vijim. Gjithsesi mbetet një reformë e rëndësishme ajo e drejtësisë dhe nevojitet që të plotësohet në implementimin e reformave të tjera të rëndësishme të cilat janë në fazën e zbatimit. Unë besoj se hapja e negociatave do të varet nëse Shqipëria do të dijë të bashkojë këto dy përparësi në muajt që vijnë apo në dy 6-mujorët që do të vijojnë. Nga ana e Italisë, ne urojmë që kjo të kryhet sa më parë dhe natyrisht ne nxisim autoritetet shqiptare në mënyrë që të plotësojnë sa më shpejt këto angazhime të cilat i kanë marrë përsipër. Shumë e rëndësishme do të jetë edhe pjesëmarrja në reformën e drejtësisë.LUFTA KUNDËR KRIMIT DHE BASHKËPUNIMI POLICORPak ditë më herët Kryeministri Rama në një intervistë për Detsche Welle është shprehur se në Shqipëri ka krim të organizuar por jo krerë të mafias pasi ata gjenden në anën tjetër të Adriatikut. A keni koment për këtë deklaratë?Gaiani: Sigurisht që krimi nuk është më kombëtar por ka një përmasë që shkon përtej vendeve të caktuara kombëtare dhe për të kuptuar saktësisht se ku është koka dhe ku është trupi është e vështirë. Hetimet duhet të kryhen për të zbuluar këto fakte, sigurisht që nuk jemi në gjendje të japim një përgjigje përfundimtare kësaj pyetje deri sa të kemi arritur që të kapim disa prej këtyre krerëve për të kuptuar se si funksionon saktësisht struktura dhe organizata kriminale. Urojmë që veprimtaria hetimore, e cila është kryer si në Itali dhe në Shqipëri të bëjë të mundur që të hidhet dritë mbi këtë aspekt. Është e qartë se nevojitet që të punojmë të gjithë së bashku dhe jam me të vërtetë i kënaqur me bashkëpunimin e policisë shqiptare me policinë italiane. Rezultatet janë mëse të dukshme dhe nevojitet që të vijojmë me bindje drejt kësaj rruge.Pra kur thoni që duhet të përfundojnë hetimet, lini të kuptohet që mund të ketë krerë të mafias edhe në Shqipëri, nuk janë domosdoshmërisht vetëm në Itali?Gaiani: Besoj se është ajo që autoritetet gjyqësore apo prokuroritë e ndryshme janë duke u përpjekur që ta arrijnë. Sigurisht që është një punë e qëndrueshme, e vazhdueshme dhe krimi është i zhdërvjellët, ndryshon fytyrën, ndryshon metodat por edhe autoritetet që merren me luftën ndaj këtyre fenomeneve kriminale janë të detyruara që t’i përshtaten në luftën ndaj tyre. Unë kam besim sepse kam parë edhe zhvillime që janë tejet të rëndësishme me synimin dhe dëshirën që të përftohen edhe rezultate pozitive në këtë drejtim.Policia italiane ka bashkëpunuar me policinë shqiptare, me ministrinë e zotit Tahiri, për luftën kundër narkotrafikantëve. Si qëndron bashkëpunimi në këtë fushë?Gaiani: Niveli i bashkëpunimit është shumë pozitiv. Italia dhe Shqipëria kanë punuar së bashku në një fushatë monitorimi në fushat e kultivuara me kanabis dhe kjo ka prodhuar edhe rezultate pozitive duke bërë të mundur që të përcaktuar edhe një sërë fushash të kultivuara me këtë bimë, duke i bërë të mundur edhe dhënien e mjeteve të duhura policisë shqiptare që të arrihej lufta dhe reduktimi i këtyre sipërfaqeve të kultivuara dhe ky ka qenë rezultati i parë i rëndësishëm në luftën ndaj krimit të organizuar ku besoj se ky operacion do të vlerësohet edhe pozitivisht edhe në selitë institucionale evropiane. Italia dhe Shqipëria kanë punuar së bashku në këtë drejtim dhe besojmë se rezultatet nuk kanë munguar.Megjithatë të tjera rezultate janë ende në pritje pasi hetimet vazhdojnë, kam parasysh rastin kur është përmendur edhe emri i ministrit të brendshëm, zotit Tahiri, në hetimet e një grupi që transportonte hashash përmes fluturimeve ajrore madje në Itali. Keni një informacion më shumë për këtë çështje?Gaiani: Nuk kam asnjë informacion në këtë fushë, kam parë vetëm disa njoftime në shtyp por nuk kam patur asnjë element, as provues dhe as që të ishte i denjë për një vëmendje sado të vogël.BASHKËPUNIMI EKONOMIK/INVESTIMET ITALIANEKryeministri Rama i ka bërë thirrje investitorëve italianë të vijnë në Shqipëri sepse këtu nuk ka sindikata prandaj është mirë të vijnë të investojnë në ShqipëriGaiani: Unë jam dakord me faktin se ka një sërë faktorësh për sipërmarrjet italiane në Shqipëri. Kostoja e punës, cilësia e punës dhe fleksibiliteti i madh, afërsia, gjuha italiane, ndërlidhjet që janë me të vërtetë shumë të mira. Është më e lëhtë të vish në Shqipëri se sa në një tjetër qytet të Italisë dhe e gjitha kjo bën të mundur që të ketë një interes të madh nga ana e sipërmarrjeve dhe sipërmarrësve italianë. Unë kam takuar me dhjetëra e dhjetëra sipërmarrës italianë që janë të interesuar drejt Shqipërisë, për të investuar. Disa por jo të gjithë prej tyre e kanë shndërruar këtë interes të tyre në investime konkrete dhe ende shumë të tjerë janë duke parë nëse mund të vijnë. Për t’i bindur një rol të rëndësishëm ka klima e përgjithshme e biznesit, respektimi i rregullave, i ligjeve, gjithashtu renditja e një sërë faktorësh që do të jenë përcaktues. Pritshmëria është e madhe por duhet që interesi të shndërrohet në investime konkrete.Cilat janë hezitimet kryesore që kanë këta investitorë të mundshmë në Shqipëri? Sistemi i drejtësisë, çështja e pronës, klima ndaj biznesit, gjoba të mundshme nga tatimet, çfarë shqetësimesh ju thonë ju në ambasadë?Gaiani: Të gjitha këto që ju renditët, sigurisht që janë shqetësime e sipërmarrjeve italiane. Do të doja të shtoja edhe se ka tashmë një konkurencë përsa i përket thithjes të investimeve të huaja sepse tashmë ka edhe vende të tjera që po ofrojnë kushte të favorshme.Cilat vende?Gaiani: Të gjitha ato që janë në kufi me Shqipërinë, Maqedonia, Serbia ku ka politika nxitëse të investimeve, ndonjëherë edhe shumë agresive në sensin pozitiv. Unë besoj pozitivisht se Shqipëria paraqet kushtet më të favorshme për investitorët italianë dhe kjo duket edhe nga prania e shumë sipërmarrjeve italiane të cilat po marrin në konsideratë faktin e një investimi të mundshëm në Shqipëri. Besoj se nevojitet që të krijohet një kornizë dhe me këtë fjalë nënkuptoj rregullat, gjithashtu edhe vendet fizike se ku të kryhen dhe të zhvillohen këto veprimtari. Gjithashtu edhe infrastruktura edh epse përgjatë viteve të funsit është përmirësuar ndjeshëm. Ndonjëherë duhen plotësuar edhe ato kalime të ndryshme apo sektorë të ndryshëm. Qeverua është duke punuar në këtë drejtim dhe mendoj se ekziston mundësia që të përftohen edhe rezultate pozitive. Në të kaluarën ishim të përqëndruar në disa faktorë si ai i manifakturës apo industrisë së përpunimit dhe të kryerjes së shërbimeve ku kemi një prani me të vërtetë të madhe në numër në Shqipëri por duhet t a zgjerojmë këtë. Besojmë se turizmi është një tjetër sektor që mund të japë rezultate pozitive së bashku me atë të bujqësisë ku niveli i bashëpunimit nuk është shumë i lartë dhe ekzistojnë edhe potencialet e mundshme të bashkëpunimit në këtë sektor.KRAHASIMI I SHQIPTARËVE DHE ITALIANËVE/NGJASHMËRITËSi e prisni kur një pjesë e mirë e shqiptarëve, përveç Kryeministrit ju mendojnë se jeni të barabartë me ne por vishni kostume Versace?Gaiani: Nuk e di nëse është e vërtetë nëse të gjithë italianët veshin Versace. Dikush mund ta bëjë diçka të tillë por besoj se shqiptarët dhe italianët janë shumë të ngjashëm sepse kemi tradita kulturore të hershme, shekullore. Kemi një vendndodhje në një zonë gjeografike shumë të ngjashme, mjaftojmë të mendojmë për kulturën e ullirit. Shqipëria është një vend ballkanik por edhe një vend mesdhetar sikundër jemi edhe ne dhe e gjitha kjo bën të mundur që të jemi shumë të ngjashëm. Unë kam mundur që ta vërej këtë nivel ngjashmërie, duke analizuar se si ne kemi punuar së bashku në të gjitha rrethanat ku ka patur raste të ndihmesës teknike. Nëse ju vini italianët dhe shqiptarët krahë njëri-tjetrit, zakonisht punojnë bashkë, bëjnë një skuadër të vetme dhe nuk krijojnë probleme. Shembulli i fundit është ai i trajnerit të skuadrës së Shqipërisë i cili diti të dialogojë me pjesëtarët e skuadrës pa patur kurrfarë vështirësie. Pra duhet të theksoj se ne nuk kemi vështiësi në komunikim.
/Oranews.tv/