Genc Ruli: Ç`po ndodh në PD, problemet me “gjakun e ri”, Basha përballë Berishës
Njeri i debatit televiziv më shumë se e intervistave, Genc Ruli ka pranuar të flasë së fundi për ca zhvillimeve në PD, ku ai ka qenë në qendër të tyre. A është bërë dhe si duhet bërë një analizë e vërtetë në PD pas dy humbjeve elektortale; si duhet parë e sotmja dhe e ardhmja e “gjakut të ri” në parti; a ka shenja të një luftë të paprinciptë brezash; përse reagoi ndaj kryetarit Basha në mbledhjen e fundit të kryesisë dhe ku ndryshon ai nga Berisha…Kanë kaluar dy vite në opozitë. PD do të duhej të kishte bërë dy analiza humbjeje, për 23 qershorin dhe atë të 21 qershorit. Sipas jush është kryer një analizë e plotë për këto dy humbje?Për mendimin tim, një analizë apo më mirë refleksion për të kuptuar shkaqet e mirefillta të humbjes elektorale nuk është bërë. Deri më sot ka pasur deklarime apo dhe reflektime të individëve, por jo një analizë kolegjiale dhe zyrtare për këto evenimente. Së dyti, unë mendoj se analiza në rrethanat e humbjes elektorale duhet të jetë një proces i ftohtë dhe racional i atij që është shtabi drejtues i një partie, pasi është ai institucioni politik që vendosi për strategjinë apo për taktikat e zgjedhjeve, është ai që harton programin elektoral apo përzgjedh kandidatet përfaqsues në ndeshjen elektorale. Analizat në nivelet e poshtme të partisë bëhen mbi bazën e konkluzioneve që kanë aritur ata që komandojnë dhe që kanë përgjegjësinë e komandës së aksionit partiak.Për analogji, kur një ushtri humbet një betejë, analizën e shkaqeve të humbjes e bën komanda e ushtrisë e jo trupa e ushtarëve e cila vetëm se ka ndjekur urdhrat e komandës së saj. Një analizë të tillë në të vërtetë ende nuk e kam parë të jetë kryer në PD. Mendoj se analiza nuk është qëllim në vetvete, as thjesht për të patur një proces formal apo një dokument analize për arkivën e parties, dhe për më tepër jo një proces për të gjetur forcërisht “fajtorë” të një humbjeje që është e tillë për të gjithë. Analiza e mirëfilltë i vlen së pari të nesërmes, pra që në betejën e ardhshme të mos përsëriten gabimet e betejës që sapo humbe pra për të mos përsëritur skema e sllogane që nuk kanë dhënë impakt tek votuesit në zgjedhjet e shkuara.Duke mos pasur një analizë zyrtare të urtë e të qetë, deri më sot ndodhi qe individe të niveleve të ndryshme partiake shfrytëzuan rastin për të ndërmarrë, për hir vetëm të një protagonizmi e karrierizmi individual, bërjen e nje “analize” subjektive banale e qëllimkeqe. Madje kjo gjoja analizë nuk u bë as në forumet partiake, por në deklarata të lëshuara pa përgjegjësi politike në rrjetet sociale. Kjo kategori individësh nuk është fenomen i ri, as në PD dhe as në tërë spektrin e shoqërisë sonë, por ndaj atyre sot po tregohet një neglizhencë e miklim që nuk ka ndodhur me parë në PD. Pak a shumë ky është fenomeni që është shfaqur në PD në këto dy vite të të qënit të saj në opozitë.negative të këtij fenomeni u reflektuan në performancën zgjedhore te strukturës së PD në zgjedhjet e 21 Qershorit të 2015. Në strukturat e partisë në prag të këtyre zgjedhjeve, ndeshëm një dasi të majisur e të toleruar midis atyre që kishin milituar prej një kohë të gjatë në PD, që kishin pasur funksione drejtuese në parti apo në administraë, dhe të një grupimi tjetër që sulmonte e akuzonte të parët si përgjegjës kryesorë e të vetëm të humbjes. Keqardhja që kur shikoje që korifej të këtij grupimi akuzues e agresiv ishin në më të shumtën e rasteve individë që në vetvete kurrë skishin patur ndonjë rol pozitiv e konstruktiv në jetën e gjatë të PD apo në qeverisjen e saj.Ka një hierarki në përgjegjësitë e humbjes….Patjetër. Ai apo ata që marrin lavdinë në rast fitoreje duhet të marrin dhe përgjegjësinë në rastin e humbjeve. Kjo duhet të bëhet zakon që duhet të ngulitet me sinqeritet në elitën politike shqiptare. Kemi dhe përvoja të kundërta në historinë e politikës shqiptare, pra përvoja të liderit që është i zellshëm të marrë tërë lavdinë e fitores por që i shmanget tërësisht përgjegjësisë për humbjen.Nuk kam besuar asnjë herë atyre lloj skemash e slloganesh, që për më tepër tek ne kanë mbijetuar si mbetje te mentalitetit hipokrit të komunizmit, që gjoja analiza e vërtetë e objektive bëhet në bazë te celula e partisë me pjesëmarrje të gjerë të antarësisë së saj. Përkundrazi, mendoj se është e padrejtë t`ju lësh strukturave në bazë barrën e përgjegjësive për të kryer analizën për rezultatet e vendimeve e përzgjedhjeve që janë bërë lart në strukturat udhëheqëse të partisë.Për mendimin tim, analiza nuk duhet të synojë indirekt apo direkt një proces spastrimi selektiv dhe dinak brenda partisë, por shërben që nesër të kesh një taktikë dhe strategji më të qartë dhe më efiçente, duke mbajtur parasysh që humbja e një betejë nuk është humbja e luftës politike. Eshtë normale që në betejën politike të kesh dhe firo apo humbje në perkrahës dhe në votues, por është mendjeshkurtësi që të nesërmen e një beteje të vështirë e të humbur të shkaktosh vetë firon e mëtejshme në armatën e mbështetesve të tu.Në fakt, nuk është bërë asnjë mbledhje e forumeve të larta drejtuese për t`u realizuar këtë që ju thoni, pra analizën në lidershipin e partisë, atje ku janë marrë vendimet. A keni kërkuar ju një analizë të tillë në forumet e larta drejtuese të partisë?Kryesia duhet të ishte forumi kryesor që duhej bërë ky reflektim, sepse dua të përdor më shumë fjalën reflektim se sa analizë. Para një jave kemi patur një mbledhje me një tematikë të tillë në kryesinë e partisë. Është vonë a është herët… unë mendoj se do të ishte më mirë të ishte bërë më parë, dhe duhej bërë pa asnjë ndjenjë dëshpërimi dhe pseimizimi. Që të jesh luftëtar në betejën politike duhet të pranosh se do të kesh edhe humbje dhe nuk duhet të rrish me kokën mbrapa duke parë me dëshpërim këtë humbje, por atë të shohësh me një objkektivitet dhe të nxjerësh mësime nga ajo humbje pasi shpesh mëson më shumë nga humbja se sa nga fitorja. Kjo analizë për mendimin tim di të duhej bërë më parë për të konstatuar se çfarë nuk funksionoi në këto zgjedhje.A ishin kandidaturat e duhura në zgjedhjet e 21 qershorit, a pati ndikim në humbje ky komponent?Për mendimin tim, në zgjedhjet e 21 qeshorit PD ka përzgjedhur e ka paraqitur kandidatura përgjithësisht mjaft më të mira se sa ato të formacioneve rivale. Madje dua të theksoj se rezultati elektoral jo vetëm në ato bashki ku fituam por edhe në të tjerat ku nuk kemi fituar bashkinë, në një masë të madhe i dedikohet pikërisht personalitetit dhe energjisë së kandidatit tonë. Ndërsa struktura partiake ende nuk qe çliruar nga sindroma e humbjes së 2013-ës apo nga efektet e pasojat shoqëruese të saj. Mendoj se nuk duhej lënë struktura në bazë të binte në këtë pesimizëm e përçarje që u shkaktua gjatë garës zgjedhore në parti duke toleruar nën flamurin e konkurencës së hapur sulme e akuza përbaltëse që disa mëtonjës të rinj bënin në grup ndaj drejtuesve të mëparshëm të partisë.Kategorizime të tilla të tipit që të gjithë drejtorët e vendosur nga PD gjatë qeverisjes 8-vjecare, me paaftësinë e tyre apo dhe korrupsionin e tyre sollën humbjen në PD në 23 qershor. Kjo është një gjë shumë e padrejtë dhe e pandershme. PD është përpjekur që të emërojmë në krye të institucioneve njerëzit më të aftë, me më shumë kontribut dhe zotësi politike. Që ka pasur brenda armatës së këtyre zyrtarëve individë që nuk kanë performuar mirë, që kanë abuzuar apo dhe që kanë pasur elementë të korrupsionit, kjo nuk mohohet. Por nga ana tjetër nuk mundet kursesi t`i përfshish të gjithë në këtë kategori, se kështu futemi në një kontradiktë të pazgjidhshme me vetveten. Kjo kontradiktë po shfrytëzohet në mënyrë tinxare nga individë të caktuar brenda PD dhe nuk i jep asnjë fuqi PD-së por veçse mpin fuqinë e saj. Kemi ndeshur, gjatë zgjedhjeve të 21 qershorit mjaft segmente të strukturave të PD-së që ishin të fyer e të indinjuar për shkak të këtij sulmi pa princip e pa vërtetësi. Ky duhet të ishte një moment që duhej kapërcyer me kohë. Uroj që ky proces-analizë apo reflektimi që ka filluar tani, të arrijë të bëjë këtë. Në radhë të parë duhen analizuar fenomente dhe ngjarjet që kanë ndodhur. Përgjegjësia e individëve konkret është një process më i gjatë përmes të cilit seleksionohet secili për atë që ka bërë dhe atë që nuk ka bërë.Në gjithë këtë histori sa vjen e qartësohet një përballje mes të vjetërve dhe të rinjve në politikën e PD-së. Çfarë po ndodh reealisht?Më lejoni ta vendos këtë temë në një kontekst më të përgjithshëm. Së pari, ky fenomen nuk shfaqet apo komentohet vetëm në PD por është prezent në të gjithë spektrin e partive politike. Së dyti, nuk ka asnjë asnjë debat apo konflikt social apo politik real mes brezave sot në Shqiperi.Gjithë retorika e sotme mbi nevojën e promovimit të të rinjve në politikë, apo për ekzistencën e një konflikti midis të vjetërve “konservatorë” dhe të rinjve “novatorë”, është një produkt i guzhinës politike dhe i gatuar vetëm për qëllime politike të lidershipit politik. Është më shumë një artificë e nxitur nga lidershipi politik shqiptar. Dhe për më tepër një gatim diletant dhe i nxitur nga kalkulime afatshkurtra e të çastit, por që sidoqoftë krijon konflikte që, ndonëse janë artificial, sigurisht që jo pa dëme e pa pasoja. Ata që sot etiketohen si të vjetër kanë qenë dje të rinj, dhe ata që janë sot të rinj do jenë nesër të vjetër. Kjo është dialektika e jetës e cila pashmgshmërisht sjell jetesën e përbashkët si të të rinjve ashtu dhe të atyre që janë më të vjetër se ata.Në fjalorin e regjimeve populiste ndeshet shpesh oratoria dinake e promovimit të të rijve si kundërvënie ndaj të vjetërve, ndërsa kriter vlerësimi në demokracite liberale është vetëm aftësia e individit, ose ajo që quhet meritokraci. Të fusësh këtë element të një dallimi tendencioz mes të rinjve dhe të vjetërve, në radhë të parë është pa sens, dhe së dyti është e dëmshme për shoqërinë, ndonëse mund të sjell një përftim të çastit në intrigën e politikës. Ka një ligjësi të përgjithshme, i riu konfirmohet në politikë njëlloj si në çdo profesion tjeter njerëzor. Nuk ma do mendja se një qytetar do të futej në sallën e operacionit dhe do të ndjihej i sigurt nëse do të operohej nga një mjek i ri që sapo është diplomuar, ndonëse diplomën mund ta ketë me të gjithë dhjeta. Mendoj se do të preferonte një mjek i cili e ka përdorur bisturinë të paktën për disa vite me radhë.Pra, i riu potencialisht është e nesërmeja, por që të bëhet e nesërmja duhet të pregatitet për këtë të nesërme, të shkollohet, të fitojë eksperiencë, të krijojë aftësinë e shpirtin e fituesit në një konkurencë reale, e jo nën favoret e tutorit të tij politik. Dhe në politikë është njësoj si në çdo profesion tjetër. Marrim një referencë në përvojën europiane dhe pikërisht Tony Blaer. E ka nisur angazhimin në politikë në partinë Laburiste që kur ishte 16 vjeç, por ia doli të konfirmohej suksesshëm me idetë e tij novatore që ndyshuan rrënjësisht partinë Laburiste shumë vite më vonë, në një moshë të pjekur. Pra nuk ishte i ri në moshë, por u shfaq i ri në politikë. Pra janë gjithë ato vite shkollim, formim e përvojë politike për të mbërritur tek ky moment historik. Ndërsa këtu tek ne po ngatërrohet me shejtanllik roli dhe kontributi i të rinjve në politikë. Them me shenjtallik se ky predikim apo debat nuk bëhet aspak për rolin e të rinjve në art, në shkencë, në biznes apo kudo gjetkë.Po ngatërrohet jo pa qëllim nocioni i idesë së re në politikë me nocioni e moshës në politike, dhe duke parashutuar në politike individë të rinj që nuk kanë patur as kohën që të fitojnë eksperiencë apo që të kenë dhënë disa kontribute konkrete. Ky lançim i menjëhershëm në politikë, në fakt vetëm po i dëmton këta të rinj në vend që ti ndihmojë, sepse nuk marrin përvojën e duhur shkallë-shkallë. Marrim si shembull këshillin bashkiak të Tiranës. Të tre partitë, PD, PS, LSI përfaqsohen në këtë këshill me një pjesëmarrje të ndjeshme me figura rinore. Po të ndjekësh debatet mes tyre për çështje që ngrihen në këtë këshill, konfrontimi mes tyre në mjaft raste nuk bëhet mbi diferencat në qëndrimet e ndryshme politike, por në mburrje se kush nga ata ka bërë shkolla më të mira jashtë, kush e ka masterin me dinjitoz etj etj. Kjo thjesht sepse ata skanë ende përvojë jete e për më tepër përvojë politike. Eshtë krejt ndryshe sjellja dhe aksioni politik i atyre të rijve që kanë një angazhim të gjatë e sistematik në forumet rinore të partive politike.Politika shqiptare, apo më mirë liderët e politikës shqiptare, “kauzen” e promovimit të brezit te ri e kanë përdorur si instrument utilitar politik në disa rrethana e për disa arsye krejt te tjera:-Kur lideri, duke ndjerë mungesë në popullaritetin e imazhin e tij apo të forcës së tij politike, kërkon ta freskojë e përmiresojë këtë imazh, ndonjëherë realisht e ndonjëherë sa për efektin fasadë.
- Kur lideri ndihet i pasigurt në ushtrimin e lidershipit të tij, dhe kur këtë pasiguri e shikon më shumë te politikanët bashkëkohës të tij apo dhe më të vjetër se ai, ai rekruton me vrull “politikanë” të rinj ndaj të cilëve ndihet më i sigurt për faktin e thjeshtë se ata janë ende të panjohur e pa ndikim publik.
- Së treti, kur grupe interesi tashmë të fuqishme që zotërojnë jo vetëm kapital ekonomik, por dhe mjete mediatike, kërkojnë të ndikojnë në vendimmarrjen politike duke infiltruar drejtpërsëdrejti në radhët e lidershipit të partive, politikanë të rinj të përzgjedhur prej tyre dhe të sponsorizuar fort po prej tyre.