Premieria e "Bridge of Spies", në filmin e Spielberg luan edhe aktori shqiptar Marko Caka
Regjisori Steven Spielberg dhe aktori Tom Hanks parakaluan mbi tapetin e kuq të shtruar në New York me rastin e premierës botërore të filmit të tyre të ri, “Bridge of Spies”.Filmi rrëfen historinë e negociatave ndërmjet disa avokatëve nga New York-u për lirimin e një piloti Amerikan, i cili mbahet peng nga Bashkimi Sovjetik.Pjesë e filmit, i cili flet për periudhën e Luftës së Ftohtë, është edhe shqiptari Marko Caka në rolin e një gazetari, i cili mbulon proceset gjyqësore të avokatit që e luan aktori Tom Hanks, e që njëkohësisht është edhe një agjent i shërbimeve amerikane.Në një intervistë për një emission televiziv në Kosovë, Caka më herët ishte shprehur i lumtur që kishte pasur mundësinë të punonte me një regjisor si Steven Speilberg dhe me një aktor si Tom Hanks.Ndërsa vetë regjisori Spielberg gjatë premierës së filmit u shpreh:“Për mua është me rëndësi që publiku të arrijë ta kuptojë marrëdhënien e këtij avokati me klientin e tij, që i kalon të gjitha politikat dhe rregullat normale të shoqërisë. Historia e filmit shkon përtej ideologjive të zakonshme të cilat në njëfarë mënyre i ndajnë këto dy shtete gjatë luftës së ftohtë, si dhe sjellin anën më humane të së vërtetës duke treguar sa është e rëndësishme të komunikosh në mënyrën e duhur dhe t’i shfrytëzosh fjalët për të arritur diçka, duke mos i lënë anash principet e tua si njeri”.Në film luajnë edhe aktorët Amy Adams dhe Alan Alda, ndërsa “Bridge of Spies” do të fillojë të shfaqet në kinematë amerikane ne mesin e muajit tetor.