Mazniku: Hapësirat e zëna publike ua kthejmë të gjelbëruara qytetarëve

 Bashkia e Tiranës ka nisur aksionin për rehabilitimin dhe rikualifikimin e lulishteve dhe ambienteve të tjera çlodhëse në kryeqytet. Aksioni u ndoq sot në terren nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili u shpreh se kjo nisma ka si qëllim krijimin e sa më shumë hapësira të gjelbra për qytetarët. Ndërsa, prezantoi nisjen e aksionit, nënkryetari Mazniku theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’ua kthejë qytetarëve hapësirat e zëna publike. “Qëllimi është që kudo ku ne kemi krijuar dhe rimarrë hapësira publike, t’ua kthejmë ato qytetarëve, duke i rikualifikuar dhe duke i bërë sa më të shfrytëzueshme”, tha ai. Vetëm në bllokun e pallateve përballë Gjykatës së Tiranës u mbollën sot 10 pemë, u vendosën 10 stola, si dhe 8 kosha të rinj për hedhjen e mbeturinave. Mazniku shtoi se aksioni po zbatohet në disa zona të ndryshme të qytetit, kudo ku bashkia ka rimarrë hapësirat e zëna publike. “Me këtë parim, jemi duke u shpërndarë në tërë qytetin, kudo ku mundemi, për të krijuar hapësira të tilla publike të përdorshme nga qytetarët”, tha Mazniku. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë e nismës së bashkisë “Mbill pemën tënde” dhe të kontribuojnë në gjelbërimin e qytetit, përmirësimin e cilësisë ajrit dhe mjediseve që na rrethojnë. “Duam të ftojmë të gjithë qytetarët që duan t’i bashkohen kësaj nisme, për të dhuruar apo mbjellë një pemë, për t’u bërë pjesë e këtij qyteti përmes mbjelljes së një peme”, tha Mazniku. Për këtë qëllim ai ka theksuar se Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion edhe një numër telefoni (0692482589; 0682050136), ku çdo person apo biznes i caktuar mund të kontaktojë për t’u bërë pjesë e kësaj nisme. “Ftohet çdo person apo biznes, i cili do të dhurojë mbjelljen e një peme në qytet, në mënyrë që qyteti ynë të jetë më i gjelbër, nëpërmjet kurorave të gjelbra dhe hapësirave të gjelbra që krijohen, jo vetëm nga ndërmarrjet tona, por edhe nga pemët me të cilat çdo qytetar mund të kontribuojë”, tha Mazniku.