Braho: Për reformën në drejtësi të ndryshohet gjithë Kushtetuta, s’ka kthim

Reformimi i sistemit të drejtësisë është një proçes i pakthyeshëm edhe nëse do të paraqitet nevoja për ndryshimin e gjithë Kushtetutës. Kështu ka deklaruar në mbledhjen me dyer të mbylluara të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë,deputeti i LSI, Spartak Braho.Braho: "Është një proces i pakthyeshëm, dhe në qoftë se është nevoja, jo 58, por e tërë kushtetuta të ndryshojë. Ne jemi në reformë, dhe ky vend ka nevojë të reformohet thellësisht edhe në këtë pjesë, edhe në këtë strukturë themelore të shtetit". Sipas tij problemi i opozitës është psikologjik, pasi deputetët e saj ende nuk janë të bindur, që reforma kushtetuese është e pakthyeshme dhe do të bëhet bashkërisht.Por nga ana tjetër ai ka vlerësuar faktin se ekspertët e huaj thonë se drafti dhe amendimet nuk janë shteruese, sepse sipas tij në rrugë e sipër mund të bëhen edhe propozime të tjera.Fjalimi i deputetit të LSI-së, Spartak BrahoI nderuar Kryetar, të nderuar zotërinj ekspert, z. Rainer, z. Devill! Unë do të shpreh disa mendime në cilësinë e anëtarit të komisionit, duke nënvizuar së pari se me kolegët e opozitës ne kemi një problem, i cili është psikologjik. Që do të thotë që kolegët e opozitës akoma nuk janë të bindur, që reforma kushtetuese është e pakthyeshme, do të bëhet dhe do të bëhet bashkërisht me ju dhe me ne.Së dyti, ky proces nuk ka karakter shterues që e shpjeguan, e shpjegoi z. Deville. Do të kalojë në disa hallka sa profesionale e ligjore aq edhe politike, duke përfshirë këtu edhe angazhimin e Komisionit të Venecias. Unë edhe z. Majko kemi qenë anëtar të komisionit të hartimi të Kushtetutës të vitit 1998. Në atë komision Partia Demokratike nuk mori pjesë, e abandonoi, madje kërkoi edhe referendum për ta rrëzuar. Sot, juve ju vjen keq pse po ndryshojmë 53 apo 58 nene të kësaj Kushtetute. Këtë Kushtetutë ju s’keni lënë gjë pa thënë e pa bërë, sot betoheni për këtë Kushtetutë, megjithatë kjo është pjesë e atij sugjerimi, apo të atij përcaktimi, apo të asaj që thashë, që ju problemin e kemi psikologjik sikur këtu ça po bëhet, po thuret, po bëhet në hije, po bëhet fshehurazi, kur ju keni të drejtë të paraqisni mendimet tuaja, ekspertët tuaj, madje ta marrin edhe ndonëse janë me vonesë, ta shqyrtojnë. Drafti juaj, në qoftë se keni, i bashkëngjitet draftit të ekspertëve, të shkoi tek Komisioni i Venecias, por procesi nuk duhet të ndalojë.Është një proces i pakthyeshëm, dhe në qoftë se është nevoja, jo 58, por e tërë kushtetuta të ndryshojë. Ne jemi në reformë, dhe ky vend ka nevojë të reformohet thellësisht edhe në këtë pjesë, edhe në këtë strukturë themelore të shtetit. Përsa i përket mendimeve për draftin, unë në radhë të parë jam plotësisht dakord me amendamentet, ashtu siç e thanë z. Xhafaj dhe z. Majko, është një punë e shkëlqyer me përkushtim e bërë për gati kaq muaj. Më pëlqen fakti që vetëm ekspertët e huaj thonë që ky draft apo këto amendime nuk janë shteruese, sepse në rrugë e sipër mund të bëhen edhe propozime të tjera, rregullime të tjera, një pjesë të cilave unë do ta bëj prezent këtu, që lidhen a me hartimin e dobët a me përkthim të dobët. Për shembull në nenin 2 thuhet Republika e Shqipërisë merr pjesë në Bashkimin Europian. Kjo është një terminologji e gabuar, që duhet thënë Republika e Shqipërisë është anëtare e Bashkimit Europian ose së dyti neni 9 parashikon termin rezident. Ky term nuk është në fjalorin e të drejtës shqiptare.Vërejtje të tilla ka dhe unë u bëj me dije që personalisht kam paraqitur disa komente pa ruajtur epërsinë që kam plotësisht të drejtë, le të jetë pjesë ndihmuese edhe e juaja, edhe e Komisionit të Venecia, ku kam dhënë disa mendime lidhur me draftin për të ndihmuar procesin dhe jo për ta abandonuar procesin.Problem tjetër që ia vlen të diskutohet është se ky draft nuk parashikon ndryshimet kushtetuese që do të ketë drafti për dekriminalizimin. Apo ndryshimet që nevojiten e që ngrihen herë pas here për organizimin e pushtetit lokal. Por duke qenë se theksohet që ndryshimet e propozuara në këtë material nuk janë shteruese, unë gjykoj se strukturat e Parlamentit apo vetë komisioni për ndryshimin e Kushtetutës apo vetë ekspertët vendas e të huaj duhet t’i kenë parasysh të tëra propozimet edhe për pjesë të Kushtetutës, të cilat nuk janë realizuar në draftin që kemi përpara. Një çështje tjetër që më bën të ndalem edhe ta evidentoj është, se fjala vjen ka Gjykatë të Shkallës së parë dhe Gjykatë të Lartë Administrative. Që do të thotë vendimi ku merr formë të prerë apo jo? Së dyti, nuk theksohet natyra unifikuese e Gjykatës së Lartë, një gjë e domosdoshme. Thelbi i reformës lidhet edhe procedurën e gjykimit me afate dhe veprime të tjera procedurale që kryen gjykata sot. Janë çështje të cilat nuk preken në draft. Një çështje tjetër është që krahas propozimit të heqjes së imunitetit të gjyqtarëve, me të cilën unë jam plotësisht dakord, duhet të theksohet edhe heqja e imunitetit të deputetëve. Pra, ka edhe probleme të tjera, të cilat pa u zgjatur, sepse unë në thelb i thashë, gjykoj se këto komente duhet të jenë pjesë e hapësirave bashkangjitur projektit që miratoj dhe që bie dakord për t’ia dërguar Komisionit të Venecias. Jua vë në dispozicion për t’i parë, rëndësi ka që të ecim përpara.