Ankesat e biznesit për skanimin, Behushi: Doganat ekzekutojnë ligjet e Kuvendit

Në kuadër të forcimit të masave kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Pranvera Behushi, është ndalur në disa biznese të mëdha në Gjirokastër si dhe doganën e Kakavijës.Ajo ju ka bërë thirrje bizneseve që të tregëtojnë mallra me pullë fiskale. Sipas saj në këto biznese është konstatuar siguria e pullave fiskale.Ndërkohë e pyetur nga Ora News në lidhje me ankesat e biznesit për tarifat e skanimit dhe ankesat e bizneseve Behushi u shpreh:“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave është në rolin e ekzekutorit, që do të thotë ekzekuton ligjet që vendos parlamenti shqiptar. Për sa i përket tarifave të skanimit tashmë është bërë publike, nga 1000 euro dhe poshtë 5 euro për deklaratë doganore dhe mbi 1000 euro 22 euro për deklaratë doganore. Kjo është tarifë që respektohet në të gjitha pikat doganore shqiptare”.Ndërkohë sa i përket tarifimit të dyfishtë, Ministria e Financave sipas Drejtoreshës së Përgjithshme të Doganave ka përgatitur një ndryshim ligjor për tarifimin e dyfishtë, ndryshim i cili sipas saj po ndjek rrugën e mëtejshme për miratimin në parlament.Drejtoresha e Doganave ka thënë gjithashtu se po përmirësohet puna e administrates doganore ku është rritur ndjeshem kontrolli ndaj administratës dhe janë forcuar ndëshkimet për doganierët që kanë shkelur ligjin deri në ndjekje penale.Përsa i përket mallrave të akcizës dhe kontrolleve, është pohuar se duke qënë se është sezoni i vjeljes e më pas përpunimit të rrushit, do të punohet fort për formalizimin e tregut të prodhimit të verës e rakisë në aktivitete që merren me përpunimin e tyre.