Serbia i kundërpërgjigjet me embargo Kroacisë, mbyll kufijtë për mallrat
Serbia ka ndaluar transportin e mallrave të Kroacisë, në shenjë hakmarrje ndaj kësaj të fundit që mbylli kufijtë për të detyruar Beogradin të drejtojë klandestinët drejt Hungarisë.Tensionet e krijuara nga fluski i klandestinëve në kufirin e përbashkët, kanë çuar në pikën më kritike marrëdhëniet mes dy vendeve që nga përmbysja e Sllobodan Millosheviçit në vitin 2000.Embargo e Serbisë erdhi pasi Zagrebi ndaloi të gjithë kamionët që vinin nga Serbia, përfshirë edhe ata që ishin të ngarkuar me mallra dhe nga tetë gjithsej mbylli shtatë pikat kufitare , me argumentin se Serbia duhet të drejtojë emigrantët jo vetëm në Kroaci, por në Hungari dhe Rumani.Megjithatë, autoritetet serbe i lanë një afat Kroacisë deri në mesnatë që të heqe bllokadën, por ndaj indiferencës së Zagrebit, erdhi embargo e Serbisë. Beogradi zyrtar nëpërmjet Ministrit të Brendshëm Nebojsha Stefanoviç u shpreh:"Nga ky moment, policia serbe dhe agjencitë shtetërore nuk do të lejojnë hyrjen në territorin e Republikës së Serbisë, në të gjitha kalimet kufitare të çdo mjeti mallrash të regjistruar në Kroaci dhe as hyrjen e çdo kamioni që transporton mallra të prodhura në Kroaci, pavarësisht nga fakti nëse kamionët janë regjistruar në Kroaci ose në një vend tjetër”.Stefanoviç shtoi se gjithsesi Serbia eshte e gatshme për marrëveshje nëse ka vullnet nga pala kroate.

