Aksident ne Devoll, bie në lumë zetori, humbin jetën dy gra

Mungesa e një ure në fshatin Bracajn të Devollit është kthyer në një fund tragjik për dy të reja të këtij fshati. Të kalosh rrjedhën e lumit me një traktor, është sa komiko-tragjedike  por njëkohësisht edhe një  guxim aspak racional.Ky është refreni i përditshëm që banorët e fshatit Bracanj kanë zgjedhur për të sfiduar mungesën e asaj që do ti mundësonte komunikimin dhe ruajtjen e  lidhjeve familjare me pjesën tjetër të fshatit në raste gëzimi dhe fatkeqësie.Dy të rejat, Mirela Zyfi 29 vjeçe dhe Elena Zyfi 35 vjeçe humbën jetën pasi traktori që do ti mundësonte kalimin në anën tjetër të lumit u përbys mesditën e së shtunës.Traktori i cili kryente rolin e një ure gjatë aksidentit mbante në të edhe 20 persona të tjerë të cilët i shpëtuan situatës. Banorët të tronditur nga ngjarja shprehen se çdo ditë ndihen të rrezikuar nga lumi dhe mungesa e një ure.Dy viktimat dhe  20 bashkëfshatarët e tjerë ishin nisur për në një ceremoni mortore e cila i detyronte për të kaluar në anën tjetër të lumit.Në mungesë të një ure banorët e hipur në një traktor kanë qënë të pozicionuar në rimorkion e tij që si pasojë e rrjedhjes së rërës në shtratin e lumit u përmbys duke i marrë jetën dy grave. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur forcat e policisë të cilat kanë shoqëruar për në komisariat drejtuesin e mjetit Gëzim Zyfi.