Shet "Ferrarin" 100 mijë euro, i sekuestrohet llogaria bankare
Prokuroria e Elbasanit, pas lejes së dhënë nga gjykata, ka vendosur sekuestron preventive për një llogari bankare në sasinë 100 mijë euro, në emër të shtetasit P. Çela, pasi dyshohet se kjo shumë ka burim të dyshimtë financiar.Përmes një njoftimi për mediat, organi i akuzës bën me dije se hetimet ndaj këtij shtetasi nisën në bazë të informacionit të mbërritur nga ana e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, e cila nga ana e saj ka marrë të dhëna nga ana e një institucioni qendror, si edhe ka kryer verifikimet e saj paraprake.Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Elbasanit rezulton se shtetasi P. Çela e ka marrë shumën 100 mijë euro nga shtetasi A. Toli, si pagesë për blerjen nga Toli të një mjeti tip “Ferrrari” që ishte në pronësi të Çelës.“Në bazë të veprimeve të deritanishme rezulton se shtetasi Toli, pra blerësi i automjetit tip “Ferrari” është administrator i një biznesi familjar me lojëra kompjuterike për fëmijë dhe, nga verifikimet paraprake rezulton që nuk ka pasur mundësi të krijojë një shumë të tillë (100 mijë euro) për të blerë një send luksi (automjet tip “Ferrari”)”.Ndërkohë, prokuroria bën me dije se po vijojnë hetimet për të provuar burimin real të kësaj shume dhe të tjera transaksioneve të kryera nga shtetasi Toli për disa vite, në shuma të ndryshme të konsiderueshme.