Veliaj konfirmon hetimin e Bashës: Janë 17 leje ndërtimi, po përgatisim dosjet
Prokuroria ka nisur hetim për 17 leje ndërtimi të dhëna nga Bashkia e Tiranës në kohën e demokratëve. Kryebashkiaku, Erjon Veliaj, ka sqaruar se prokuroria ka rinovuar kërkesën për këtë hetim dhe aktualisht po përgatisin dosjen.Gjatë prezantimiit të administratorëve të njesisë 1 dhe 2, Veliaj premtoi transformim të sheshit “Avni Rustemi”.Bashkia e Tiranës po bashkëpunon me Prokurorinë për të hetuar dhënien e 17 lejeve të ndërtimit në kohën që ky institucion drejtohej nga kryeopozitari Lulzim Basha.Erjon Veliaj ka konfirmuar se Prokuroria ka rinovuar kërkesën për këtë çështje dhe po i ofrohen të gjitha të dhënat.Veliaj: “Ka një kërkesë të Prokurorisë për një akuzë shumë të rëndë, për rreth 17 leje ndërtimi, dhe sigurisht i kam kërkuar stafit të Bashkisë që të bashkëpunojë plotësisht me prokurorinë. Me sa duket, kjo ishte e pamundur me Bashkinë e kaluar, s’ka pasur bashkëpunim. Prokuroria rinovoi kërkesën që Bashkia t’i jepte gjithë dokumentacionin. Stafi i Bashkisë po përgatit dosjet për të 17 lejet që ka kërkuar të hetojë prokuroria. Nuk ndihem mirë që Bashkia e Tiranës është në një situatë të tillë, ku po hetohet nga Prokuroria, megjithatë është një mënyrë për të vendosur një standard të ri, i cili do të shërbejë për të pasur transparencë në të gjitha vitet që do të vijnë. Për këtë ndihem mirë, që sot kemi një bashki tjetër, e cila pavarësisht se duhet të shpjegojë gjynahet e një lidershipi të vjetër, në fund të fundit, po mban edhe premtimin tonë elektoral, për të pasur një transparencë absolute. Transparencë më të mirë se sa bashkëpunimi me Prokurorinë, për t’i dhënë të gjithë dokumentacionin shoqërues për këto 17 leje që duket qartë se kanë problematika më të mëdha se sa të tjerat, nuk mund ta kisha menduar”.Ndër të tjera kryebashkiaku i ri i Tiranës bëri me dije se në tetor do të nisin punimet për transformimin e sheshit “Avni Rustemi”.Veliaj: “Puna do të fillojë në tetor dhe jo vetëm që do të realizojmë një nga projektet më të bukura të Tiranës, i cili do t’u shtojë vlerën pronave dhe aseteve të Njësisë nr. 2, por Pazari i Ri do të jetë edhe një hapësirë turistike.Gjithashtu, do të marrim një vendim për të gjitha godinat që rrethojnë tregun. Do të kemi edhe një pastrim të rrugës “Qemal Stafa”, e cila do të rinovohet për t’u bërë pjesë e kompleksit të Pazarit të Ri. Njerëzit duan infrastrukturë që të ushqejnë veten e tyre në një treg i cili, gjatë paradites do të funksionojë si i tillë, kurse pasdite do të shërbejë si një hapësirë argëtuese, me restorante që gatuajnë ushqim tradicional shqiptar, artizanë, duke u shndërruar kështu në një epiqendër të turizmit në Tiranë. Sot Tirana vuan për atraksione tipike vendase. Ndaj, në pjesën e dytë të ditës, tregu i Pazarit të Ri do të jetë një hapësirë rikrijuese, me ushqime tradicionale dhe dyqane artizanësh”.Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të administratorëve të njësisë 1 dhe 2 në kryeqytet.