Zv/ministri i Jashtëm, Selimi: Kosova po anëtarësohet në UNESCO

Përpjekjet e Kosovës për t'u anëtarësuar në UNESCO kanë ndezur një debat mes zv.ministrit të Jashtëm të Kosovës Petrit Selimi dhe Ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiç.Menjëherë mbasi Daçiç ngriti pretendimin se OKB-ja ka refuzuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, Selimi ka sqaruar se nuk është bërë asnjë kërkesë të tillë në OKB, por OKB-ja thjesht ka refuzuar të jetë ndërmjetëse mes Prishtinës dhe Komitetit Ekzekutiv të UNESCO-s."Kosovës nuk i është refuzuar kërkesa nga OKB-ja, pasi Kosova nuk ka bërë kërkesë në OKB. OKB-ja ka refuzuar të jetë ndërmjetësuese në komunikimin midis Parisit dhe Prishtinës gjë që ka hapur dyer për një komunikim direkt mes Kosovës dhe UNESCO-s", ka theksuar zv/ministri i Jashtëm, duke folur për Radio Europa e Lirë.Sipas Selimit, komiteti ekzekutiv i UNESCO-s do të japë një rekomandim pozitiv për anëtarësimi e Kosovës në organizmin kulturor dhe arsimor të OKB-së.Serbia është e informuar mbi këtë gjë, theksoi Selimi, por pavarësisht kësaj po mundohet të bëjë propaganda dhe të mjegullojë situatën.