Hillary Clinton do t'i dorëzojë FBI serverin personal të internetit

Hillary Clinton ka vendosur t'u dorëzojë hetuesve të FBI-së serverin personal të internetit, të cilën ajo e ka përdorur gjatë kohës që ishte Sekretare Shteti.Zbulimi se Clinton ka dërguar emaile me postën e saj personale dhe jo të sekreteres së shtetit i dha hov një dallge kritikash. Kritikët theksojnë se edhe niveli i sigurisë së e-mail-eve është tejet i ulët, përkundër politikës së qeverisë. Akuzat shkojnë deri aty sa Klinton akuzohet se ka shmangur monitorimin dhe arkivimin zyrtar të komunikimeve si kryediplomatja e SHBA-së.FBI-ja po heton nëse informacione sekrete janë dërguar nëpërmjet serverit dhe nëse ato janë ruajtur aty. Disa javë më parë, kandidatja kryesore e demokratëve për president dorëzoi mijëra faqe me e-maile të Departamentit të Shtetit, por jo serverin.  Megjithatë, Clinton kishte kërkuar që të gjitha emailet të bëhen publike, pasi ajo thotë se postën personale e ka përdorur për çështje private.