NATO sot takim urgjent për sulmin e Turqisë kundër ISIS në kufi me Sirinë

Të dërguarit e 28 shteteve anëtare të NATO-s do të mbajnë sot një takim urgjent për të diskutuar mbi fushatën ushtarake të Turqisë kundër militantëve të Shtetit Islamik dhe atyre kurdë.Mbledhja do të mbahet në Bruksel me kërkesë të Turqisë, e cila shfrytëzoi një pikë në traktatin e Atlantikut të Veriut ku thuhet se çdo shtet që mendon se i është cënuar integriteti territorial apo pavarësia politike, mund të thërasë aleatët për konsultime.Deri para sulmeve terroriste të javës së kaluar në vend, Turqia kishte ngurruar të ndërhynte ushtarakisht, por në ditët e fundit ka ndërmarrë sulme ajrore ndaj pozicioneve të ISIS në Siri dhe atyre të PKK, Partisë Kurde të Punës, në Irak.Një ditë më parë, Shtetet e Bashkuara raportuan se kishin arritur një marrëveshje me Turqinë për të krijuar një zonë të sigurtë në vijën kufitare me Sirinë, për të zmbrapsur deri në 109 kilometra larg militantët e ISIS. Sipas zyrtarëve amerikanë, një zonë e tillë do të siguronte më tepër stabilitet dhe do të ndihmonte edhe sulmet ajrore të koalcionit të udhëhequr nga Uashingtoni.Turqia ka pranuar gjithashtu që të vërë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara bazën e saj ushtarake në qytetin jugor Inxhirlik për të kryer sulme ndaj pozicioneve të mbajtura nga ISIS, një veprim që sipas ekspertëve ndërkombëtarë të sigurisë mund të ndryshojë tërësisht situatën në terren.Megjithatë, Uashingtoni është vënë përballë një dileme, për shkak se Ankaraja nuk bën dallime mes ISIS dhe PKK, që në Siri është aleate e forcave kurde që luftojnë kundër ISIS./Oranews.tv/