Referendum për Gjykatën Speciale

Për themelimin e Gjykatës Speciale, si dhe për Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-të dhe BE-në dhe, gjithashtu, për përcaktimin e kosovarëve për shtet ligjor dhe drejtësi – nëse s’është i aftë dhe i ndërgjegjshëm Parlamenti Kosovës, atëherë duhet të vendosin qytetarët e Republikës së Kosovës përmes votës së tyre të drejtpërdrejtë, në referendum.Ajo që dua të them është se, nëse dështon edhe votimi i dytë në Kuvend të Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale, për shkak të interesave meskine të disa deputetëve të partnerit të Koalicionit PDK-së, si dhe të mungesës së rezonimit dhe veprimit shtetndërtues të opozitës, atëherë duhet që urgjentisht - presidentja, kryeministri dhe përgjegjësit e tjerë institucionalë, të organizojnë referendumin – në të cilin qytetarët me votën e tyre të drejtpërdrejtë do të kenë mundësinë që të deklarohen për themelimin e Gjykatës Speciale.Askush, e aq më pak (disa) deputetë të Kuvendit të Republikës, kanë të drejtë të vënë në rrezik shtetin dhe marrëdhëniet tona të shenjta me SHBA-të, si dhe të vënë në pikëpyetje proceset e integrimeve në BE, aftësinë shtetndërtuese të qytetareve të Republikës së Kosovës, si dhe përcaktimin tradicional të qytetarëve të Kosovës për shtet ligjor, për drejtësi, si dhe për marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe partneritet të shenjtë me SHBA-të, me Gjermaninë, Anglinë dhe gjithë BE-në.Lidhja Demokratike e Kosovës duhet që me shumë fuqi e vendosmëri t’ua bëjë me dije të gjithë akterëve të tjerë politikë, sikur edhe partnerit në koalicion, PDK-ës - se ajo (Lidhja Demokratike e Kosovës), po qe se dështon edhe votimi i dytë në Kuvend do të jetë fuqishëm në mbështetje të mbajtjes së referendumit, si dhe se bashkë me qytetarët e Kosovës e shoqërinë civile, do ta fitojë edhe këtë betejë të vendit në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit tonë - karshi të gjitha forcave regresive, që s’ndjejnë asnjë përgjegjësi për nevojat e vendit, për ruajtjen dhe kultivimin e besimit të ndërsjellë dhe partneritetit të shenjtë me SHBA-të, Gjermaninë, Anglinë e të gjitha shtetet tjera perëndimore, që ishin dhe mbeten fuqishëm, realizuese dhe sponsorizuese kryesore të lirisë dhe çlirimit, të pavarësimit e të sovranitetit të vendit tonë, si dhe të integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian dhe botën Demokratike.Jam krejtësisht i bindur, se qytetarët e Kosovës, janë shumë më të përgjegjshëm, më të ndërgjegjshëm dhe më të vendosur që me votën e tyre të heqin si ngaherë, çdo gur e shkëmb që i del përballë të ardhmes europiane e perëndimore të Kosovës, si dhe besimit të ndërsjellë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe partneritetit të shenjtë me SHBA-të e botën Demokratike.(Autori është deputet i Lidhjes Demokratike në Kuvendin e Kosovës)