Itali-Shqipëri: Memorandum bashkëpunimi, 16,5 mln euro financim në energji

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri dhe Ambasadori Italian në Tiranë Z. Massimo Gaiani nënshkruan sot Memorandumin e Bashkëpunimit për përdorimin e 16,4 milion euro kredi e butë të vëna në dispozicion nga Kooperacioni Italian në mbështetje të Sektorit Elektroenergjitik shqiptar.Bëhet fjalë për fondet e mbetura nga Programet “Ristrukturimi teknik dhe manaxherial i KESH-it dhe fuqizimi i sistemit elektrik shqiptar – APE 1” dhe “Ristrukturimi dhe Fuqizimi i Sistemit Elektrik shqiptar për integrimin e tij në sistemin e Ballkanit– APE 2”, që parashikonin dhënien një kredie të butë për Qeverinë shqiptare prej më se 93 milionë Euro dhe të një komponenti grant prej 1 milion Euro.“Do të kemi investime që do të bëhen në zonën Himarë-Sarandë. Pra, krahas investimeve që ne po bëjmë për linjën e tensionit të lartë 110 kV, nënstacionet e reja Orikum-Himarë, tani do të kompletojmë plotësisht edhe rrjetin e shpërndarjes në atë zonë të rëndësishme për potencialet turistike. Do të investohen 8 milion euro në vitet e ardhshme”, theksoi ministri Gjiknuri.Ministri tha se konfirmohet edhe njëherë se sektori elektroenergjetik ka ngjallur besimin e plotë tek të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, tek të gjithë partnerët bashkëpunues.“Janë një linjë e tërë investimesh, kredisë të buta, për të investuar në këtë sektor që e kemi thënë gjatë viteve të ardhshme do të ketë investimet më të mëdha që ka parë ndonjëherë sektori elektroenergjetik”, u shpreh Gjiknuri. Ai falenderoi ambasadorin Italian për mbështetjen që ky vend po i jep reformave dhe investimeve në sektorin energjitik.Ambasadori italian Z.Massimo Gaiani tha se projektet do të kapin dy aspekte të rëndësishme. “I pari është fuqizimi i sistemit të shpërndarjes në zonën e jugut që ka edhe një potencial shumë të rëndësishëm turistik për vendin. Pjesa e dytë e aktiviteteve ka të bëjë me zgjerimin e sistemit të mbikëqyrjes dhe të kontrollit të të dhënave, sistemit Skada, i cili do të shtrohet pothuajse në të gjitha nënstacionet e vendit me 110 kolivolt. Me anë të këtyre projekteve sistemi elektroenergjitik shqiptar do të bëhet më i besueshëm dhe më i integruar në sistemin europian dhe dot a çojë energjinë vërtet aty ku duhet më tepër”, nënvizoi ambasadori.Më z.Gaiani falenderoi ministrin Gjiknuri dhe operatorët teknikë OST dhe OSHEE-në për bashkëpunimin e frytshëm dhe për përshpejtimin e kohëve në realizmin e këtyre projekteve që vërtet janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e kushteve të furnizimit me energji të popullsisë.Këto fonde të mbetura do të përdoren për të mbështetur administrimin e përshtatshëm të burimeve energjetike në nivel kombetar, në harmoni me objektivat e përgjithshmem të programeve të mëparshme dhe më strategjite, politikat aktuale të zhvillimit energjetik të vendit që synojnë modernizimin e rrjetit elektrik kombëtar; reduktimin e humbjeve teknike dhe efikasitet në furnizim.Është rënë dakord për realizimin e këtyre projekteve parësore: Parashikohet gjithashtu edhe rehabilitimi i rrjetit elektrik të shpërndarjes në zonën Himarë – Sarandë, në jug-perëndim të Shqipërisë që përmirëson cilësinë e furnizimit me energji të 30.000 përdoruesve. Realizimi i Fazës së dytë të Sistemit SCADA - Supervisory Control and Data Acquisition, objektivi i të cilit është të përshtasë me standartet evropiane gjithë sistemin e administrimit dhe të telekontrollit të energjisë shqiptare me anë të realizimit të Qendrës së Dispeçerisë dhe Telekontrollit që do t’i shtojë këtij sistemi besueshmërinë dhe efiçencën në kuadër të ndërlidhjes së Shqipërisë me vendet fqinje./Oranews.tv/