Ndihma ekonomike, jashtë skemës 1123 familje

Vetëm në tre muaj, nga pastrimet që i janë bërë skemës së ndihmës ekonomike kanë dalë prej saj 1123 familje. Kjo shifër konfirmohet nga Instituti i Statistikave, i cili raporton se qarqet më të varfëra në Shqipëri, që kanë edhe numrin më të madh të përfituesve të kësaj ndihme janë Dibra, Shkodra, Elbasani dhe Kukësi.Gjatë tremujorit të parë të këtij viti 1123 familje janë nxjerrë nga skema e ndihmës ekonomike. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë panoramën e plotë të përfituesve të ndihmës në të gjithë vendin.INSTAT raporton se për periudhën janar-mars të këtij viti, nga ndihma ekonomike kanë përfituar 74.933 familje nga të cilat 43.744 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 31.189 familje me ndihmë ekonomike të plotë. Të dhënat tregojnë se numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike gjatë tremujorit të parë 2015 është ulur me 1,5 % krahasuar me tremujorin e katërt 2014. Si rrjedhim, dhe fondi mesatar mujor i ndihmës ekonomike është ulur me 1,1 %. Qeveria ka deklaruar se po bën pastrime të skemës së ndihmës ekonomike pasi ajo është shumë e fryrë dhe pagesën e përfitojnë edhe persona që nuk plotëosjnë kushtet.Ndërkohë që opozita ka akuzuar se po shkurtohen shpenzimet për të varfërit dhe shumë prej tyre po hidhen në rrugë të madhe.INSTAT kontaton gjithashtu, se qarqet Dibër, Shkodër, Elbasan dhe Kukës kanë numrin më të madh mesatar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Sa i përket madhësisë së familjes, familjet me nga katër pjesëtarë përbëjnë pjesën më të madhe të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike.