Arabi Saudite, arrestohen mbi 400 militantë të ISIS

Arabia Saudite ka arrestuar 431 të dyshuar si pjestarë të një celule të Shtetit Islamik që po planifikonte sulme në disa xhami në vend. Lajmin e konfirmon Ministria e Brendshme, sipas të cilës sulme po planifikoheshin edhe ndaj selive të forcave të sigurisë por edhe misioneve diplomatike në vend.Arrestimët ndodhën pasi të enjten, një makinë shpërtheu në një prej burgjeve të sigurisë së lartë, si pjesë e disa atentateve të marrë përsipër nga ekstremistët që kanë pushtuar një pjesë të mirë të territorit të Irakut dhe Sirisë, duke rritur shqetësimin në Mbretërinë që mban vendin e parë në botë për sasinë e naftës që eksporton.Sipas njoftimit të ministrisë së brendshme, mes të arrestuarve ka edhe persona të kombësive të tjera, si nga Siria dhe Jemeni, të cilët po planifikonin të realizonin gjashtë sulme në të premtet e javëve në vazhdim në disa xhami kryesore, pikërisht në ditën kur në to ndodhet edhe numri më i madh i personave që kryejnë ritet fetare.Disa herë, militantët e ISIS i kanë bërë thirrje mbështetësve të tyre në Arabinë Saudite të ndërmarrin sulme atje. Në prill, autoritetet saudite arrestuan 93 persona të dyshuar se po planifikonin të kryenin disa sulme përfshi edhe në ambasadën amerikane në Riad, ndërsa në maj 25 vetë mbetën të vrarë pas dy atentateve vetëvrasëse në xhami shiite në Mbretërinë me shumicë sunite të popullsisë. ISIS ka shpallur disa herë synimin për të pushtuar Arabinë Saudite, pasi në të ndodhen dy prej tre vendeve të shenjta të islamit, si Meka dhe Medina.