Dy mesazhet e Martin Schulz: Ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi

Dy ishin mesazhet që Presidenti i PE, Martin Schulz donte të përcillte për Shqipërinë: ndërtimi i demokracisë dhe ripajtimi. Këto dy mesazhe Schulz i tha gjatë një takimi me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.

Presidenti Schulz përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Schulz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elementë do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian, dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë.

Nga ana e tij Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat. Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi.

“Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, – theksoi Presidenti Nishani.

Po ashtu Nishani i  përcolli përgëzimet për marrëveshjen e arritur sot në mëngjes me Greqinë, Kreu i Shtetit u ndal gjerësisht në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe zhvillimet në rajon.