E vërteta e padurueshme e Srebrenicës

Para 20 vitesh është kryer në Srebrenicë krimi më i madh pas Luftës së Dytë Botërore. Viktimat dhe familjarët e gjenocidit po instrumentalizohen politikisht, ndërsa kriminelët nuk e pranojnë fajin.Edhe 20 vjetori i gjenocidit në Srebrenicë po përshkohet me lojëra cinike në skenën e madhe politike, të të ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare. Rusia e ka bllokuar me veton e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Përpjekjet hipokrite të ambasadorit rus në OKB, që të shpjegojë refuzimin, përputhen shumë mirë me përçmimet e viktimave. E tillë ka qenë edhe kumtesa e presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq, i cili thotë se dita e refuzimit të rezolutës është një "ditë e madhe për Serbinë" dhe se Rusia është dëshmuar edhe një herë si mik i madh i Serbisë.Një cinizëm të këtillë nuk mund ta tejkalosh. Rezoluta është dobësuar disa herë me kërkesën e Rusisë dhe me qëllim të marrjes parasyshë të qëndrimeve të Serbisë. Megjithatë në fund u refuzua. Vetoja e Rusisë ishte vota e vetme kundër. Në këtë mënyrë ajo refuzon një krim i cili kaherë është dëshmuar juridikisht. Në vitin 2007, Tribunali i Hagës i ka quajtur veprimet dhe planet e udhëheqësisë politike dhe ushtarake serbe në Srebrenicë si një gjenocid.Srebrenica megjithatë është vetëm maja e një lufte të përgjakshme dhe shkatërruese në Bosnjë-Hercegovinë, të cilën udhëheqësit e atëhershëm serbë e kanë drejtuar me një bindje të thellë. Pokaq të bindur në këtë luftë kanë qenë edhe udhëheqësit e atërhershëm në Beograd, të cilët e kanë mbështetur këtë luftë ushtarakisht, politikisht dhe me logjistikë. Ditët e kaluara kanë dëshmuar se këto ndërlidhje ende ekzistojnë. Vetëm qëllimi kryesor është shtyrë. Tani detyra e tyre kryesore është mohimi kolektiv i këtij krimi të përgjakshëm, të përgatitur dhe dokumentuar mirë. Në këtë mënyrë pengohet pajtimi mes boshnjakëve dhe serbëve.Myslimanët e Bosnjës kanë pasur numrin më të madh të viktimave në Bosnjë-Hercegovinë. Ata ndjehen si fitues moral, jo vetëm për shkak të Srebrenicës. Me mohimin dhe relativizimin e gjenocidit, atyre u bëhet me apo pa vetëdije, edhe më e qartë kjo fitore. Shumë serbë në Bosnjë-Herdegovinë dhe në Serbi - edhe ata të cilët nuk e mohojnë këtë krim barbarë - kanë probleme të mëdha me përdorimin e fjalës "gjenocid", sepse kjo nënkupton fajin kolektiv. Ata mendojnë se Srebrenica është një topuz i fuqishëm moral, të cilin myslimanët e Bosnjes e instrumentalizojnë shpesh. Madje edhe qarqet më të moderuara në opinionin serb pohojnë se duhet vënë vizë njëherë e përgjithmonë thirrjeve për kërkim falje.Ndërkohë që heshtet se në Bosnjen Lindore edhe më tej po zbulohen varreza masive. Ende ka nëna të cilat nuk e dinë se ku i kanë bijtë e tyre, sepse trupat e tyre nuk janë gjetur kurrë. Është një tallje e thjeshtë nëse nga këto nëna kërkohet që tua falin fajin vrasësve.Kujt duhet t'ia falin, nëse vrasësit nuk kanë kërkuar falje? Kur fëmijët serbë nëpër shkolla në Srebrenicë edhe më tej e festojnë dhe i këndojnë Ratko Mlladiqit. Kur në dasmat serbe në disa vende ende barten fotografitë e Ratko Mlladiqit dhe Radovan Karaxhiqit. Njerëzit e këtillë nuk duan falje dhe pajtim. Ndërsa të vërtetën nga Srebrenica nuk mund ta durojnë.Edhe për këtë shkak ky vend i vogël i Ballkanit do të ketë për një kohë të gjatë kujtime të freskëta nga dështimi i tmerrshëm i bashkësisë ndërkombëtare. Ky masakër mbetet pika më e ulët e civilizimit në historinë e re evropiane. Edhe për një kohë të gjatë kjo do të na kujtojë se sa e brishtë është paqja në Evropë. Ndërsa refuzimi i Rusisë në KS të OKB dëshkon se disa nuk kanë mësuar asgjë nga e kaluara.