Vuçiç: Pavarësisht sulmit, dora e Serbisë mbetet e shtrirë për paqe me boshnjakët
Pavarësisht sulmit dhe tentativës për vrasje, dora e Serbisë mbetet e shtrirë për paqe me boshnjakët. Kështu deklaroi pas mbledhjes urgjente te qeverisë serbe, kryeministri Alexander Vucic, i cili u sulmua me gurë, këpucë, por edhe grushta e shqelma, në 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.Sulmi nisi pasi Vucic vendosi një tufë me lule në memorialin e viktimave në varrezën e Potocarit. Sipas kreut të qeverisë serbe, gjithcka ishte e mirëorganizuar dhe e mirëpërgatitur.Në konferencën për shtyp në Beograd, Vucic tha se u përpoq të sillej me përgjegjshmëri dhe dinjitet dhe respektoi vendimin e autoriteteve lokale për të mos folur gjatë përkujtimores. Kreu i qeverisë serbe tha se serbët nuk duhet të ndjehen të poshtëruar nga ngjarja e shëmtuar -por duhet ti trajtojnë fqinjët e tyre boshnjake si miq, ndërsa nënvizoi se Serbia nuk do të ndryshojë sjelljen me Bosnjës. Sipas Vucic, sulmuesit nuk ishin familjarë të viktimave të pafajshme të Srebrenicës, por tifozë të një ekipi serb të cilët thërrisnin: vrisni Vucic, vrisni çetnikët. Kryemisnitri serb tha se pas sulmit ai nuk donte të largohej, por dëshironte të pyeste sulmuesit pse po e bënin një gjë të tillë, pasi ai kishte ardhur në paqe.Pamjet tregojnë këpucë e gurë që fluturojnë në fytyrën e Vucic, i cili fillimisht refuzoi të mbrohej, por më pas goditjet u bënë më të ashpra, sa edhe syzet që mbante në sy u thyen. Më i ashpër në reagime ishte ministri i Brendshëm serb i cili tha se sulmi ishte tentativë për vrasje dhe akuzoi Bosnjën se nuk kishte garantuar as sigurinë minimale për kryeministrin serb. Mësohet se një sulm i ngjashëm iu bë edhe presidentit të Sllovenisë Borut Pahor, i cili u largua nga forcat e sigurisë nga varreza e Potocarit.