Problemet që e presin kancelaren gjermane në Tiranë, Beograd dhe Sarajevë
Merkel do ti kërkojë Ramës të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, por edhe të gjejë zgjidhje për numrin në rritje të azilkërkuesve-kështu mendojnë analistët gjermanë, për të cilët Merkel do të ketë cështje më të vështira për të diskutuar në Serbi dhe Bosnjë. Vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë do të jetë më e lehtë se në Sarajevë dhe Beograd. Të paktën kështu e shohin analistë të ndryshëm në Gjermani.Dusan Reljic, drejtues i Zyrës së Fondacionit Gjerman për Shkencë dhe Politikë, në Bruksel thotë së "Nga këndvështrimi i Perëndimit, Shqipëria "është një faktor stabiliteti në Ballkan".Ndaj ai pret që Merkel të kërkojë nga Kryeministri Edi Rama që të mos deklarohet më për Shqipërinë e Madhe dhe projektet e ngjashme nacionaliste, të cilat përfshijnë Shqipërinë, Kosovën dhe disa pjesë të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Greqisë."Berlini me siguri që do të kërkojë edhe ndonjë zgjidhje për numrin e shtuar të azilkërkuesve nga Shqipëria", mendon Reljic.Analistët mendojnë se papunësia e lartë, korrupsioni i gjërë dhe elitat autoritare politike - janë disa të përbashkëta mes Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Shqipërisë dhe do të jenë tema diskutimi.Ndërkaq Gunther Krichbaum, Kryetar i Komisionit të BE në Bundestag mendon se synimi i kësaj vizite është edhe kufizimi i influencës ruse në Ballkan. "Vendet duhet të vendosin vet se në ç'drejtim duan të shkojnë. Vlerat të cilat i respektojmë ne në BE dallojnë nga ato të cilat i respekton Rusia dhe qeveria e zotit Putin", thotë Krichbaum.Analistët thonë se Merkel do t'u tregojë "lojtarëve të mëdhenj" në Lindje - para së gjithash Rusisë, por edhe Kinës dhe Turqisë se Bashkimi Evropian edhe më tej është spiranca e këtij rajoni. Ata mendojnë se për shkak të krizës në Greqi, i gjithë rajoni i Ballkanit mund të shndërrohet në një vend "turbulent" për investime. Kancelarja Merkel me këtë vizitë mund të zbutë këtë përshtypje.Në Serbi analistët thonë se Merkel do të ndalet te kërkesa për anëtarësim, proces që domosdoshmërisht kalon përmes marrëdhënies me Kosovën. Në BE nuk dëshiron askush të ketë "një Qipro tjetër", pra një vend me probleme territoriale-thekson Krichbaum.Edhe në Bosnje-Hercegovinë ka probleme shumë të mëdha në raport me BE-në dhe nuk do të jetë një vizitë e lehtë.