KMSH kërkon pronat, thirrje Gjykatës së Lartë të vendosë drejtësi

Vendimi i Gjykatës së Apelit për tjetërsimin e një prone, ka sjellë reagimin e ashpër të përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman në dyert e kësaj gjykate.Ata deklarojnë se bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar rikthimin e pronës që besimtarët myslimanë i kanë lënë këtij komuniteti që prej viti 1919.Në një deklaratë për mediat ata e cilësojnë vendimin e shkallës së dyte si një grabitje të pronës që i bëhet besimtarëve myslimanë.Oltion Kola: "Pas shtetëzimit nga sistemi ateisto-komunist, akoma edhe pse ka kaluar një çerek shekulli liri e besimit, si dhe pas një kalvari gjyqesh dhe ndjekjesh të të gjitha formave, individi Ali Pazari në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Xhaferi, duke përdorur format e mashtrimit dhe me ndihmën e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, me një vendim gjyqësor haptazi në kundërshtim me ligjin dhe provat, kanë grabitur pronën shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Institucioni ynë dënon fuqishëm këtë akt të paprecedent dhe ndërkohë ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhur ligjorë për ndjekjen e kësaj çështjeje në instancat më të larta të drejtësisë, duke e ankimuar këtë vendim”.Komuniteti mysliman është një prej pronarëve më të mëdhenj në Shqipëri dhe problemet me pronësinë i ka hasur në vijimësi.