Forcimi i euros, këmbehet me 140.2 lekë. Ekspertët: Pak euro në treg

Euro po ruan pozita të forta në tregun tonë të këmbimit, duke u këmbyer me 140.2 lekë. Kjo edhe pse sezoni turistik ka nisur. Ekspertët vlerësojnë se në tregun e këmbimit është prishur ekuilibri ofertë kërkesë, pasi sasia e euros është e paktë, ndërkohë që kërkesa për të mbetet e lartë.Tiranë-Euro nuk po e humbet epërsinë e saj në tregun tonë të këmbimit, edhe pse sezoni turistik tashmë ka nisur.Gjatë kësaj jave, monedha e përbashkët europiane ka qëndruar e fortë kundrejt lekut shqiptar, ndryshe nga sa ndodh zakonisht në këtë periudhë, ku për shkak të fluksit të turistëve të huaj por edhe emigrantëve që sjellin valutë me vete dhe kryesisht euro, monedha e Eurozonës bie.Por kjo nuk po konstatohet këtë vit. Sipas kursit të Bankës së Shqipërisë, euro shkëmbehet me 140.2 lekë, ndërsa dollari me 126.2 lekë.Ekspertët shpjegojnë se sasia e valutës që ka hyrë në vend është e ulët, ndërsa kërkesa për euro mbetet e lartë.Kjo prishje e ekuilibrave ofertë- kërkesë në tregun tonë valutor ka zhvlerësuar monedhën kombëtare dhe po e mban ende të fortë euron.Monedha europiane pritet të pësojë një rënie gjatë javëve në vijim, për shkak edhe të kthimit të emigrantëve në atdhe me pushime.Por gjithsesi ekspertët mendojnë se rënia e euros do të jetë e lehtë, si pasojë e valutës së paktë që emigrantët do të sjellin me vete.Një euro e fortë rrit kostot për të gjithë ata që kanë marrë kredi në këtë monedhë, pasi do të paguajnë më shumë për këstet mujore.Nga ana tjetër, importet do të bëhen më të shtrenjta, çka pritet të shoqërohet me rritje të çmimeve në treg.Kostot do të shtohen edhe për qeverinë që do të paguajë më shumë për borxhin e jashtëm.Avantazh nga kjo situatë kanë eksportuesit, norma e fitimit të së cilëve do të rritet.