Shpëton “Migjeni”, qeveria 86 mln lekë për projektin e restaurimit
Teatri “Migjeni” i Shkodrës shumë shpejt do të ketë një fytyrë të re. Pas dritës jeshile për fondin prej 86 milion lekësh që Ministria e Kulturës akordoi për këtë tempull të artit dhe kulturës, ky dikaster prezantoi zyrtarisht edhe projektin final të restaurimit.Ai është hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe sipas ministres Mirela Kumbaro projekti ka një rëndësi jetike për jetën artistike të këtij qyteti, prandaj do të realizohet brenda 2015.Kumbaro: “Vetëm pak muaj më parë, konkretisht në 4 shkurt 2015 kam marrë një letër të shqetësuar të drejtorit të Teatrit Migjeni, Edmond Angoni, i cili njoftonte për gjendjen e mjeruar të ndërtesës dhe kushtet teknike, që e bënin të pamundur zhvillimin e aktivitetit artistik.Që nga momenti i marrjes së detyrës dhe deri më tani kam shprehur gadishmërinë dhe vullnetin e institucionit që drejtoj, në mbështetje të artistëve dhe skenës kulturore, sepse artin nuk e bëjnë politikat, por njerëzit e kulturës, skena nuk është e politikës, por e njerëzve të artit. Në pak muaj kemi bërë realitet një projekt restaurimi të teatrit, i cili kap vlerën e 86 milionë lekëve, për të përballuar fazën e parë të restaurimit.Jam këtu për të shprehur gadishmërinë time dhe të gjithë qeverisë për restaurimin e teatrit, jo vetëm si objekt kulture por edhe si monumente të njerëzve të kulturës. Ky fond është hapur nga qeveria shqiptare që ta bëjmë realitet këtë projekt brenda vitit 2015”.Edhe artistët shkodranë të pranishëm në këtë takim përshëndeten nisjen e punimeve pasi për ta kjo është një ëndërr që realizohet pas shumë vitesh.Por ata shfrytëzuan momentin për t’i bërë me dije Kumbaros se pagat e tyre janë qesharake, prandaj duhet ndërhyrje edhe në këtë drejtim.Faza e parë e projektit, quajtur edhe faza e shpëtimit është menduar të ndërhyjë në impiantet dhe sistemet teknologjike.Konkretisht do të ndërhyhet në impiantin elektrik, atë mekanik të skenës dhe të ndërrimit të ajrit.Projekti parashikon edhe ndërhyrje emergjente në sistemin e mbrojtjes nga zjarri, ku ekspertiza e kryer e gjen jashtë çdo sistemi funksional.Në aspektin struktural do të ndërhyhet në strukturën e mbulimit në holl, skenë dhe sallë. Elementet arkitektonikë parashikojnë ndërhyrje në çati, ku do të merren masa për vendosjen e kapriatave, binarëve, etj.Projekti parashikon ndërhyrje në katin e nëntokës në sistemin e drenazhit dhe në fasadën e të gjithë ndërtesës.Për ironi të fatit i gjithë financimi është bërë vetëm nga Ministria, pasi bashkia e Shkodres që ka në varësi Teatrin nuk ka akorduar asnjë qindarkë.
