Azilkërkuesit, shefi i policisë së Austrisë: Kemi identifikuar grupet kriminale

"Mos u mashtroni dhe mundohuni ta kuptoni. Në Austri nuk fitohet azil".Pas thirrjes së një ditë më parë të ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hofman, një tjetër zyrtar bën të njëjtin apel për mijëra qytetarë shqiptarë, që sipas nëndrejtorit të policisë së Austrisë Franc Lang, janë mashtruar duke shitur gjithçka kanë për të grumbulluar paratë e mjaftueshme për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, me shpresë se do të fitojnë azil.Franc Lang: "Njerëzit në Shqipëri dhe Kosovë jetojnë në vende të sigurta, ndaj nuk ka asnjë shans që të fitojnë azil në Austri apo në Gjermani. Ajo që jemi përpjekur gjithnjë t'ju shpjegojmë gjithnjë është fakti që nuk kanë shanse të fitojnë azil. Nëse ata vijnë, do të qëndrojnë një periudhë shumë të shkurtër në Austri dhe do të dërgohen përsëri në vendin e tyre. Personat e vetëm që përfitojnë nga kjo situatë janë ata që merren me trafikimin e qënieve njerëzore, që iu marrin emigrantëve shuma të mëdha parash duke i mashtruar. Ne ju themi që mos t'ju besoni atyre, pasi janë kriminelë".Numri dy i policisë së Austrisë tha gjithashtu se disa grupe kriminale që trafikojnë njerëz nën mashtrimin e përfitimit të azilit tashmë janë identifikuar.Franc Lang: "Kemi indentifikuar disa grupe kriminale që dërgojnë emigrantët në Europë. Kemi arrestuar disa prej tyre. Ata kanë fituar shumë të mëdha parash dhe jetojnë në luks. Nga ana tjetër pastaj kemi njerëz shumë të varfër, të cilët kanë shpresa, kanë shitur gjithcka për të fituar një të ardhme në Europën Qëndrore. Më e rëndësishmja që duhet bërë për të ndaluar fluksin e emigrantëve është që atyre tju thuhet e vërteta".Të njëjtin apel dhe mesazh shqiptarëve ja përcolli për Ora News edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hofman. Diplomati gjerman i bëri thirrje shqiptarëve që të mos përpiqen më kot të aplikojnë për azil ekonomik në Gjermani sepse pas disa javësh apo muajsh do të duhet sërish të rikthehen në Shqipëri./Oranews.tv/