Mijëra emigrantë zbarkojnë në brigjet siciliane

Duket e vazhdueshme dhe pa fund kriza e emigrantëve në Itali.Nga imazhet që ka publikuar roja bregdetare italiane, kuptohet lehtë drama e këtyre njerëzve që udhëtojnë me mjete të pasigurta, duke rrezikuar jetën.Por nga ana tjetër është edhe Italia, ajo e cila përballet me një fluks të papërballueshëm emigrantësh, dhe strehimi i tyre bëhet çdo ditë e më i vështirë.Autoritetet italiane shpëtuan disa emigrantë që lundronin me disa varka të rrënuara në ngushticën siciliane, pasi u pikasën teksa u bënin me dorë avionëve , një mënyrë për të kërkuar ndihmë pasi kishin mbetur të bllokuar në mes të detit.Në tre ditë, nga data 10 deri në 12 prill, sipas informacioneve të rojës bregdetare italiane , janë shpëtuar 5.629 njerëz në 22 anije të ndryshme.Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, të paktën 480 emigrantë vdiqën në Mesdhe në tre muajt e parë të 2015, 50 më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./Oranews.tv/