Paloka për Tiranën: Çdo kandidat i PD fiton thellë përballë Veliajt të PS
Demokratët ashtu si edhe socialistët ende nuk kanë një kandidat zyrtar për Bashkinë e Tiranës. Por kreu i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka në studion e Ora News shprehu bindjen se kandidati i së djathtës do jetë një fitues i sigurtë nësë në anën tjetër do të qëndrojë Erjon Veliaj. Ndër të tjera Paloka ka akuzuar qeverinë Rama se po putinizon vendin ndërsa komentoi se kjo maxhorancë nuk do të realizojë dekriminalizimin. Partia Demokratike e ka të sigurt fitoren në kryeqytet përballë kandidatit të përfolur të maxhorancës Erion Veliaj.Kreu i grupit parlamentar në PD deklaroi në Ora News se kushdo që do të zgjidhet nga opozita e ka të sigurt Bashkinë e Tiranës, madje me diferencë të thellë.Paloka: “ Kushdo që të zgjidhet nga kandidatët tanë, duke parë atë që kemi përballë, sepse mesa duket tek PS ka përfunduar procesi, Erionin po e shohim kudo. Çdo kandidat i PD është absolutisht dhe me diferencë të madhe më lart se kandidati i PS-së. Megjithatë duke pasur parasysh specifikat që ka Tirana, mënyrën si është bërë harta e Tiranës duke përjashtuar zona që njihen si zona të PD dhe duke futur sa më shumë fshatra dhe komuna që votojnë PS, gara nuk do jetë e lehtë sigurisht. Ne hyjmë për të fituar dhe për të fituar në kushte të tilla na duhet dhe kandidati më i mirë. Ndaj duhet ta mendojmë mirë”.Paloka ka akuzuar Kryeministrin se po realizon Putinizimin e Shqipërisë.Paloka: “ Kjo qeveri që synon të Putinizojë Shqipërinë nëpërmjet putanizimit nuk mund të rrijë në këmbë, ne këtë nuk mund ta lejojmë. Qytetarët shqiptarë do të jenë ata që do bëjnë edhe dekriminalizimin, edhe vendosjen e drejtësisë në këtë vend, edhe largimin e kësaj qeverie”.Sipas Edi Palokës, kryeministri Rama do që t'i shpëtojë dekriminalizimit.Kreu i grupit parlamentar në PD ndër të tjera ka komentuar edhe marrëdhëniet me Partinë Republikane, të cilën e ka cilësuar si aleate të rëndësishme dhe për këtë ka premtuar vëmendje ndaj kërkesave të bëra nga ky subjekt.