Kampi në duart e ISIS, mes refugjatëve palestinezë edhe 3500 fëmijë
Shteti Islamik ka marrë thuajse plotësisht nën kontroll 90% të kampit të refugjatëve palestinezë në Damask, ku ndodhen edhe 3 500 fëmijë. OKB apelon qeverinë siriane të krijojë një kanal komunikimi me refugjatët, por Damasku deklaron se kjo është e pamundur.Militantët e Shtetit Islamik kanë marrë nën kontroll 90% të territorit të kampit të refugjatëve palestienzë në Damask, Al-Jarmuk.Përmes një video propagandistike të postuar në rrjetet sociale të kontrolluara prej tyre, ekstremistët shihen të përparojnë duke shkaktuar një krizë të vërtetë humanitare në kamp.Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, tha se Organizata për Çlirimin e Palestinës po përpiqet të zgjidhë krizën e refugjatëve, ku mendohet se janë strehuar rreth 18 000 vetë, mes tyre edhe 3500 fëmijë, të cilët janë edhe viktimat më të mëdha të luftimeve mes rebelëve dhe forcave të Presidentit Bashar Al-Asad.Të shqetësuar për fatin e palestinezëve të mbetur aty janë shprehur edhe autoritetet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Komisioneri Pier Krahenbuhl tha se OKB i ka bërë thirrje qeverisë siriane të hapë një kanal komunikimi me refugjatët brenda kampit, për të mundësuar ndihmë ndaj tyre, por përgjigja ka qenë negative, pasi rrugët janë bllokuar nga militantët e ISIS, të cilët janë vetëm pak kilometra nga selia e Asadit.Kampi i Damaskut ka shërbyer si strehë e gjysmë milioni palestinezësh në vitin 2011, kur edhe nisi lufta civile në Siri, por ashtu si miliona sirianë, edhe refugjatët palestinezë janë larguar.