Borë në Prill, reshje në Kukës dhe Dibër, qarkullimi me zinxhirë

Në të gjithë territorin e Qarkut të Kukësit, janë rikthyer këtë të dielë reshjet e dendura të borës të cilat në zonat e thella malore kanë qenë më të theksuara.Ndërsa në zonat fushore reshjet e borës kanë nisur rreth mesditës, duke rikthyer temperaturat e ulëta.Në lartësitë e mëdha, trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra. Nuk raportohet për rrugë të bllokuara apo mungesë të energjisë elektrike, por rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në rrugët e komunave të thella si Kalis, Grykë Cajë, Zapod e Shishtavec.Ndërkohë në Rrugën e Kombit po punohet në vazhdimësi nga mjetet borëpastruese, për largimin e borës.Aktualisht, nuk raportohet për zona të izoluara. Reshjet janë rikthyer edhe në qarkun e Dibrës, ku në zonat e thella trashësia e borës shkon mbi 10 cm.Raportohet se në komunat Ostren, Trebisht, Martanesh dhe Zerqan, qarkullimi i mjeteve bëhet vetëm me goma dimërore.Ndërkohë në qarkun e Korçës ndonëse temepraturat janë ulur shumë, nuk ka pasur reshje bore, por shi i dendur.Kapriçot e motit kanë sjellë reshje shiu pothuajse në të gjithë vendin, por për fat të mirë nuk janë konstatuar probleme.