Spanjë, arrestohen 4 vetë që donin të bashkoheshin me ISIS
Policia spanjolle ka arrestuar dy adoleshentë dhe dy të rritur të martën në verilindje të vendit, pasi dyshohej se do të udhëtonin për në Siri për të luftuar me militantët e Shtetit Islamik.Të miturit, të dy nën 16 vjeç u arrestuan pas një operacioni policor në një qytezë rreth 11 kilometra nga Barcelona, sëbashku me dy të dyshuarit e tjerë, njëra femër.Ministria e Brendshme spanjolle tha se vëllai i madh dy adoleshentëve ishte tashmë në Siri, pasi ishte rekrutuar nga grupimet xhihadiste dhe kishte mbetur i vrarë atje vitin e kaluar.Ata gjithashtu ishin larguar nga shkolla dhe kishin nisur studimet në një qendër islamike në Marok.Itinerari i tyre për në Siri kalonte pikërisht nga Maroku e më pas në Turqi, prej nga edhe do të kalonin kufirin, me dijeni të plotë të prindërve.Numri i të rinjve që rekrutohen, kryesisht përmes rrjeteve sociale, për t'iu bashkuar grupimeve të ndryshme terroriste që luftojnë në Irak dhe Siri, është rritur ndjeshëm vitin e fundit, duke u bërë pjesë e qindra vetëve që kanë udhëtuar për në zonat e konfliktit.Rasti i fundit janë tre adoleshentë britanikë, të cilët lanë shtëpitë e tyre për t'u bashkuar me ISIS, por u ndaluan në aeroportin e Stambollit dhe u ridërguan në shtëpi.Megjithatë, shumë të tjerë kanë arritur të kalojnë dhe të përfundojnë në zonat e konfliktit.