Dy deputetët nën arrest, Policia ruan shtëpitë e Doshit dhe Frrokut

Kur kanë qëndruar rreth 48 orë në qelitë e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së kryqytetit, Tom Doshi dhe Mark Frroku janë izoluar brenda shtëpive respektive.Ka qenë vendimi i Gjykatës së Lartë, i cili ndryshoi masën e sigurisë për dy deputetët nga "arrest me burg" të kërkuar nga organi i akuzës në "arrest shtëpie".Prej pasdites të së shtunës Doshi dhe Frroku janë të ruajtur në banesat e tyre nga uniformat blu të policisë në dy zona të ndryshme të Tiranës.Në banesën e deputetit Tom Doshi, një vilë që ndodhet në zonës e "Profarmës",qëndron një makinë policie e parkuar pranë portës kryesore, siç shihet edhe nga pamjet brenda në automjete nuk ndodhet asnjë efektiv.Ndërsa, në banesën tre katëshe të Mark Frrokut, e cila ndodhet në zonën e "Unazës së Re", nuk shihet asnjë makinë policie e pozicionuar në ambientet e jashtme.Por efektivët mund të jenë vendosur brenda në oborrin e shtëpisë, duke respektuar edhe perimetrin e përcaktuar nga ligji.Beteja ligjore ndërmet Prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës të dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku sapo ka nisur.Por ndërsa Frrokun e pret një betejë e dytë për një akuzë vrasje në Belgjikë, avokatët e Doshit kanë paralajmëruar se do ta çojnë çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.