Ministrat e rajonit në Prishtinë, Thaçi: S'ka stabilitet pa Kosovën

Samiti i Ballkanit Perëndimor “Western Balkans 6” ,  ka mbledhur sot  në Prishtinë 12 Ministra të Jashtëm dhe Infrastrukturës nga vendet e rajonit, mes tyre dhe atë serb Ivica Daçiç.Për  kryediplomatin kosovar, Hashim Thaçi, pjesmarrja e barabartë e Kosovës në këtë Konferencë është një  sinjal i fuqishëm se pa të nuk mund të imagjinohet stabiliteti në Ballkan dhe integrimi i tij në BE.“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar që të bashkëpunojnë, të rrisin investimet rajonale në infrastrukturë, energjitike, bujqësi dhe në fusha të tjera të rëndësishme, në mënyrë që rajoni të tërheqë investime që lehtësojnë zhvillimin ekonomik duke krijuar kushte për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e rajonit. Kemi arritur që si rajon të bëjmë hapat e parë të lidhjes më të mirë të vendeve tona me autostrada dhe hekurudha moderne me porte e aeroporte që na bëjnë me efikas në bashkëpunim. Me investimet e reja në infrastrukturë do të ndihmojmë zhvillimin ekonomik të vendeve tona, shërbimin më të mirë dhe shkëmbimin e prodhimeve tona dhe lidhjen me Evropën e më gjerë”, tha Thaçi.Por për kryediplomatin e Kosovës, rëndësia e rrugëve nuk është vetëm ekonomike.“Më e rëndësishme është se rrugët ndihmojnë edhe komunikimin mes njerëzve dhe kulturave tona. Fatkeqësitë tona, kanë lindur nga keqkuptimet dhe paragjykimet për njeri-tjetrin. Komunikimi më i mirë do të sjellë shembjen e mureve mes popujve të Ballkanit”, u shpreh ai.Numri dy i qeverisë kosovare theksoi më tej se Kosova ka ndërtuar marrëdhënie diplomatike shumë të mira me vendet fqinje që e kanë njohur, si dhe ka nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dialog ky që sipas tij, u konkretizua me marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe që po vazhdon me implementimin e tyre dhe me hartimin e marrëveshjeve të reja.“Presim që ky dialog të vazhdojë, të kemi marrëveshje të reja dhe të arrijmë normalizim të marrëdhënieve. Të gjitha këto forume ]ojnë përpara bashkëpunimin mes nesh. Kosova është faktor stabiliteti e bashkëpunimi në Ballkan”, tha ai.Në takim merr pjesë edhe Johannes Hahn, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negocim të Zgjerimit.Shqipëria përfaqësohet në këtë tryezë nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dhe ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.Ministrat nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje Hercegovina do të diskutojnë në këtë konference për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.Takimi i sotëm pason atë të Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel./Oranews.tv/