Vlorë, rritet ndërgjegjësimi i grave për mamografinë, mungojnë mjekët radiologë
Në Vlorë, prej muajit të sensibilizimit të grave dhe vajzave për luftën ndaj kancerit të gjirit, është shtuar numri i kontrolleve. Por në spitalin rajonal mungojnë mjekë radiologë të specializuar për mamografinë, duke qenë një teknologji e re e futur kohët e fundit.Në Vlorë, ndonëse prej dy muajsh aparati i mamografisë është funksional, nuk ka mjekë radiologë të specializuar për të kryer ekzaminimet me këtë aparaturë, e cila kryhet përmes një teknike të futur së fundmi.Bruna Mersini: “ Ne kemi patur mungesën e kuadrit të lartë, mjekut radiolog që merret me gjirin. Në Vlorë dy radiologët që janë të hershëm, mjekë të vjetër në zanat, nuk janë marrë me mamografinë pasi është një fushë e re”.Sipas Drejtores së spitalit Bruna Mersini, këtë periudhë vërehet shtim i numrit të vizitave të grave dhe vajzave, që vizitohen përmes mamografisë, megjithatë problem mbeten zonat e thella rurale.Bruna Mersini: “ Ka një ndërgjegjësim të grave për ta bërë ekzaminimin e gjirit, por jemi para vështirësive që ka sistemi shëndetësor që prej vitesh të tëra nuk ka funksionuar dhe nuk u ka ardhur në ndihmë në mënyrën e duhur pacienteve në zonat rurale. Janë kryer rreth 940 mamografi, raste të reja jo të kontrollit, rreth mbi 15 % më shumë se vitet e kaluara.”Në Qarkun e Vlorës, vetëm muajin e sensibilizimit të luftës kundër kancerit, u identifikuan 12 raste të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat që iu nënshtruan kontrollit falas të mamografisë.