Daçiç sfidon Kosovën: Arrestoni kriminelët e luftës, ne e bëmë
Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, ka sfiduar Kosovën dhe Republikat e tjera të ish-Jugosllavisë që të dënojnë kriminelët e tyre të luftës, duke marrë shkas nga arrestimi i shtatë të akuzuarve si pjesmarrës në masakrën e Serbrenicës gjatë luftës së Bosnjes.Edhe pse nuk e përmendi me emër Kosovën, mesazhi i Daçiç duket se i drejtohet veçanërisht asaj, në një kohë ku këtë muaj pritet aprovimi i ngritjes së Gjykatës Speciale, ku do të trajtohen akuzat për krime lufte nga ana e luftëtarëve të UÇK-së."Me këtë lëvizje Serbia vërtetoi se është e sinqertë në vendosmërinë për zbulimin dhe dënimin e gjithë kriminelëve të luftës. Në këtë aspekt, është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi rajonal me prokurorët e republikave të ish-Jugosllavisë dhe vendeve të krijuara në territorin e ish-Jugosllavisë. Nuk duam që asnjë vend në Ballkan të jetë strehë për të arratisurit".Daçiç e bëri këtë deklaratë gjatë takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe zyrtarë të tjerë të aleancës.Masakra e Serbrenicës, ndodhur në korrik 1995, ku humbën jetën mbi 8000 boshnjakë, është konsideruar si genocid nga një gjykatë e Kombeve të Bashkuara.Megjithatë, të arrestuarit, të kapur në disa operacione në të gjithë Serbinë, me shumë gjasa do të gjykohen në shtetin e tyre dhe nuk do të japin llogari në Hagë.Të gjithë të akuzuarit janë pjestarë të njësisë së Ministrisë së Brendshme të serbëve të Bosnjes.Edhe pse për këtë krim Serbia ka arrestuar liderët politikë, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, kjo është hera e parë që ndalohen personat që kanë shkrepur armët ndaj të pafajshmëve.