Marrëveshja me SECO,6.6 milion euro për infrastrukturën e gazit
Sekretariati i Shtetit per Çeshtjet Ekonomike ( SECO) do të financojë Shqipërinë me 6.6 milion euro për infrastrukturën e gazit.Marrëveshja është nënshkruar përkatësisht nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, Ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe nga Ambasadores se SECO, Betrice Maser.Shqipëria ka marrë një fond prej 6.6 milion euro për zgjerimin e infrastrukturës së gazit në kuadër të projektit TAP.Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se tashmë shumë shpejt gazi do të jetë një realitet për shqiptarët.“Ju e dini që projekti TAP është i rëndësishëm për Evropën në tërësi por veçanërisht për Shqipërinë për shkak të investimeve. Ne mund të përfitojmë gaz, por për të përfituar gaz duhet të ndërtojmë kapacitetet tona të brendshme. Pikërisht, asistenca e qeverisë zvicerane, nëpërmjet kësaj marrëveshje bën të mundur që tregu u gazit, krahas me mbështetjet e tjera financiare, me punën që ka filluar qeveria shqiptare për zhvillimin e masterplanit, të bëjë të mundur që gazi të jetë një realitet në vitet që do të vijnë në Shqipëri. Kjo ndihmë është në kohën e duhur dhe në drejtimin e duhur”.Ambasadorja e SECO, Betrice Maser, vlerësoi rëndësinë energjitike të projektit TAP.“Këto fonde do ju ndihmojnë në integrimin rajonal si dhe do të përmirësojnë sigurinë energjitike.Realizimi i projektit TAP, do të sjellë rritje ekonomike dhe natyrisht do të ulë efektet serrë në mjedis.Në përgjithësi, bashkepunimi tregtar midis dy vendeve tona mbetet i vogël. Kam besimin se kemi më shumë mundësi bashkëpunimi”.Krahas kësaj marrëveshje, SECO ka kontribuar në Shqipëri edhe në një sërë projektesh të tjera, në vlerë prej mbi 77 milion euro, grante, përfituese e një pjese të të cilave është edhe Ministria e Financave.