Deputeti i CDU: Meta të linte karrigen vakant deri në sqarimin e “aferës Doshi”
Kryetari i Komisionit për Çështjet e BE në Bundestagun Gjerman, Gunther Krichbaum, kërkon sqarim të plotë dhe pa boshllëqe të "aferës Doshi" dhe kjo sipas tij duhet bëhet në parlament.Në një intervistë për DW pas takimeve që pati me përfaësinë e opozitës të kryesuar nga kreu i PD-së Basha, Krichbaum thotë se përballë akuzave të tilla kreu i Kuvendit duhet të linte përkohësisht vakant postin e tij, për ti dhënë mundësinë një Komisioni hetimor parlamentar të hedhë dritë mbi ngjarjen.Krichbaum: Folëm edhe për politikën e brendshme, veçanërisht për të ashtuquajturën "aferë Doshi". Ajo që ndodh në këtë vend në këto momente, na çudit, sepse po të kemi parasysh cilësinë e akuzave, bën pjesë ndoshta në kulturën politike të një demokracie që personat përgjegjës edhe ta mbajnë përgjegjësinë dhe që proceset të sqarohen. Mendoj edhe se është në përputhje me kulturën politike, që pikërisht në rastin e një kryetari parlamenti të nxirren përfundimet përkatëse. Mendoj se duke parë kualitetin e akuzave, deri në sqarimin e plotë të së gjithës, ai duhet ta linte përkohësisht vakant postin e tij. Vetëm kjo do të mundësonte një sqarim pa paragjykime, sepse të paktën këtu (në Gjermani) do të ekzistonte mundësia që (për një rast si ky) të ngrihej një komision hetimor, i cili natyrisht duhet të angazhohej nga Parlamenti, një komision, i cili themelohet nga mesi i parlamentit. Si do të funksiononte një komision i tillë hetimor parlamentar, si mund të bëhej sqarimi parlamentar, kur shefi i parlamentit njëkohësisht mund t'i pengonte hetimet. Prandaj do të ishte mirë që ai t'i kundërvihej kësaj përshtypjeje të keqe dhe të paktën ta vinte në dispozicion postin”.Por nëse mazhoranca qeverisëse ia ka besuar këtë çështje drejtësisë dhe opozita nga ana tjetër ka rezervat e saj për ushtrim presioni mbi pushtetin juridik nga qeveritarët, zyrtari gjerman jep këtë koment:Krichbaum: “Mendoj se është një çështje e kulturës politike dhe ajo që na karakterizon ne në një demokraci. Është krejtësisht e drejtë ajo që thoni, që fillimisht vlen supozimi i pafajësisë (të atij që e akuzojnë) deri në përfundim të një procedure të shtetit juridik. Por në mënyrë që hetimet të mund të zhvillohen pa paragjykime dhe që të sqarohet në vetvete përmbajtja e kësaj afere, për këtë duhet edhe një punë parlamentare pa fërkime. Për ta thënë edhe njëherë qartë: vetëm përmes faktit, që dikush merr përgjegjësi politike kjo nuk ka efekt paragjykyes për një proces të shtetit juridik në një gjykatë. Ajo që ne kërkojmë nga ana jonë dhe ajo që kërkon bashkësia ndërkombëtare është një sqarim i plotë dhe pa boshllëqe. Mendoj që një qeveri dhe një parlament diçka të tillë ja ka për borxh në fund të fundit edhe popullit, sepse populli nuk ka dëshirë ta humbasë besimin tek aktorët politikë. Ja që ne kemi vetëm këtë demokraci, e cila edhe duhet mbrojtur dhe prandaj është e rëndësishme që këtu të ushtrojmë edhe zakone kulturore të demokracisë”.