Moratoriumi i gjuetisë, Kryeministri: Mirë do ishte të shtyhej disa vite

Kryeministri Rama ka lënë të kuptohet se duhet shtyrë moratoriumi për gjuetinë. Nga Divjaka edhe Ministri Lefter Koka sëbashku me ambasadorin amerikan Donald Lu e vlerësuan moratoriumin si një nga reformat më të suksesshme në mbrojtjen e ekosistemit.Divjakë-Për kryeministrin e vendit, Edi Rama, moratoriumi kundër gjuetisë ka qenë i suksesshëm dhe ka lënë të kuptohet se Ministria e Mjedisit duhet të shohë mundësitë e shtyrjes së afatit.Rama: “Rezultatet e Moratoriumit janë mbresëlënëse. Unë jam dakord me atë varkëtarin e sekondës së fundit që tha ‘sikur kjo të vazhdojë nja 10 vjet të jetë kështu’. Edhe pse Ministria e Mjedisit e ka përgatitur programin e ri për gjuetinë shumë strikt dhe nga ku përjashtohen në mënyrë kategorike mundësitë për të gjuajtur në zona të mbrojtura, përsëri unë hyj tek ata që besojmë, bashkë me Erjonin kuptohet, që është mirë që gjahtarët ta shtyjnë edhe për ca vite të tjera ëndrrën e tyre për të rifilluar të vrasin shpendët. Sepse, kemi nevojë për një rikuperim të plotë të gjithë kësaj faune të egër. Me gjithë respektin për gjahtarët, që Erjoni e ka, unë them që e kam por në fakt nuk e kam, sepse më duket si një sport pak përtej mundësive për ta kuptuar”.I pranishëm në takim, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, e ka cilësuar reformën kundër gjuetisë si një nga punët e mira të qeverisë.Koka: “ Në fakt një vit pas marrjes së vendimit situata është krejt e ndryshuar, rezultati është spekatakolar dhe kjo pra ishte një ndër punët e mira të bëra nga qeveria shqiptare”.Në takimin e organizuar në Parkun Kombëtar të Divjakës, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mbështetur moratoriumin, duke u shprehur se është një shembull mbresëlënës për mbrojtjen e ekosistemit.Donald Lu: “Moratoriumi i gjuetisë është një shembull sesi qeveritë mund të punojnë me banorët vendas për mbrojtjen e ekosistemeve delikate të Shqipërisë”.Konferenca për moratoriumin, u organizua nga Ministria e Mjedisit, si një mesazh ndërgjegjësues për mbrojtjen e mjedisit, e veçanërisht të faunës së egër në territorin e Shqipërisë.