“Shpifja”, Ristani i kërkon të tërheq akuzën, kryeministri Rama refuzon
Sikundër me deputetin Edi Paloka, edhe me Arben Ristanin kryeministri Edi Rama ka refuzuar pajtimin në seancën e parë gjyqësore të procesit të mbajtur sot në Gjykatën e Lartë.Rama ka kërkuar vazhdimin e proçesit gjyqësor, përmes të cilit i kërkon deputetit opozitar që të vërtetojë akuzat e tij se Kryeministri ka lidhje me krimin.Në dalje të seancës, Rama tha se do të bëjë gjithçka ka në dorë për të dhënë kontributin e tij në betejën e ndarjes së politikës nga shpifja.Edi Rama: “Unë nuk njoh akuza në emër partie, njoh akuzues që kanë marrë përsipër të ushqejnë veten duke jetuar si shpifës profesionistë, por edhe të helmojnë publikun duke e përmbytur përditë me shpifje nga më monstruozet. Besoj se është koha që gjithë sëbashku të fillojmë një betejë të paepur për ti dhënë fund një historie të shpifur që vazhdon prej vitesh, të një politike që jeton me shpifje dhe çorodit në vijimësi opinionin duke turpëruar Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët edhe në sytë e opinionit ndërkombëtar. Unë vetë personalisht do bëj gjithçka kam në dorë për të dhënë një kontribut të frytshëm në këtë betejë mes Europës dhe mesjetës, mes të ardhmes dhe të shkuarës, mes forcash dhe individësh që janë në politikë për të bërë mirë dhe forcash dhe individësh që politikën e shikojnë si një mundësi për të pëtrfituar duke bërë keq”.Ndërsa deputeti demokrat, Arben Ristani, duke deklaruar se akuzat e PD-së janë të drejta, nuk hezitoi të nënvizojë se nuk janë qëndrim personal i tij, por politik.Ristani: “Sipas proçedurave që ndjek gjykata ka të bëjë me një formalitet pajtues mes palëve në proces, i kërkova të dëmtuarit akuzues që ta tërhiqte kërkesën e tij ndaj kallëzimit që ka bërë për Arben Ristanin sepse qëndrimi që është mbajtur dhe fjalët që për të dëmtuarin akuzues përbëjnë shpifje apo fyerje nuk janë fjalë personale të Arben Ristanit, por qëndrim politik i Partisë Demokratike. Ndonëse unë sigurisht ndaj bindjen time të thellë se qëndrimi politik i PD është një qëndrim i saktë, i drejtë, i vërtetë dhe i provuar sepse në pushtet kemi një bandë kriminale, një Kryeministër të lidhur me bandat, që punon për bandat dhe ka inkriminuar parlamentin dhe administratën shtetërore”.Deputeti shtoi më tej se qëndrimet politike të Partisë Demokratike janë të mbështetura dhe në dokumente zyrtare, duke ju referuar këtu marrëveshjes për dekriminalizimin dhe deklaratës së Ambasadës amerikane.Ristani: “Tashmë ju keni dokumente publike, zyrtare, siç është marrëveshja e dekriminalizimit, ku me kërkesën dhe vendosmërinë e PD por dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë u arrit të firmosej një marrëveshje për dekriminalizimin e parlamentit dhe administarës. Dhe është e kuptueshme që përgjegjësi kryesor për inkriminimin e parlamentit dhe administarës shtetërore është Kryeministri. Po kështu keni një deklaratë të Ambasadës së SHBA ku i kërkohet Kryeministrit të vazhdojë dekriminalizimin e parlamentit dhe administratës publike. Pra qëndrimi publik i PD është terësisht i bazuar tashmë dhe në dokumente zyrtare përveç shumë provave të tjera që tregojnë inkriminimin e kësaj qeverie”.Pas kësaj seance, Rama do të jetë i pranishëm në gjyqin me Palokën që nisi një javë më parë me të njëjtën akuzë.Kryeministri deklaroi një javë më parë, se ai do të jetë i pranishëm në çdo seancë pasi e konsideron shpifjen një çështje mjaft të rëndë dhe që duhet të ndalet njëherë e mirë.